Sonte në Pressing në T7 është duke u zhvilluar debati mes kandidatëve për kryetar komune për qytetin e Pejës, ku të pranishëm janë Gazmend Muhaxheri nga LDK, dhe Taulant Kelmendi nga VV-ja.
Muhaxheri theksoi projektet e realizuar si suksese të tijat, duke thënë se ‘‘Suksesi më i madh i këtyre 4 viteve është ndërtimi i sheshit’’.
‘‘Suksesi më i madh i këtyre 4 viteve është ndërtimi i sheshit, janë dy urat që i kemi ndërtuar për automobile, janë gjashtë/shtatë ura për këmbësorë, është rruga që po ndërtohet në zonën industriale për më i shërby bizneseve që janë në atë zonë. Janë projektet, ose shëtitorja buzë Lumbardhit. Qendrat rinore që janë ndërtuar. Trupat ndriçues që kanë vazhdu me u vendos, Peja është një prej qyteteve më të ndriqume në Kosovë’’, ka thënë ai.
Ndaj kësaj, ka reaguar Kelmendi i VV’së i cili tha se në Pejë është varfëri e madhe, dhe se ka probleme me ujë, me qentë endacakë e me mbindërtime.
‘‘Varfëri e madhe. Pas 12 vjetëve po vjen kryetari dhe po krenohet me projektin e vetëm që e ka fillu fushatë dhe po don më përfundu fushatën, shëtitoren e Pejës. Thu ti se me shëtit qytetarët e Pejës është problemi më i rëndësishëm i 25 viteve. Njëkohësisht ka probleme me ujë, me qentë endacak, secila lagje është kaotike, secila lagje ka mbidertime. Për këto 12 vite, ky ka qeverisë në kaos’’, ka thënë ai. /GazetaExpress