Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar për herë të parë vendimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për të shpallur datën e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që çështja e shkarkimit të Erion Veliajt ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Berisha e cilësoi dekretin si një vendim të papranueshëm.
“Shqipëria nuk ka president, ka një skllav të krimit që fshihet prapa gishtit dhe që më thanë se u fsheh prapa Rusmalit” u shpreh ai gjatë një deklarate për mediat.
Pavarësisht kundërshtimit të opozitës për mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve, Berisha konfirmoi se Partia Demokratike do të marrë pjesë në votimet e 9 nëntorit.
“Ne nuk bojkotojmë. Edi Rama do festonte nëse do bojkotonim, por ne nuk do ia japim atë kënaqësi atij. Ne do ta luftojmë atë çdo orë, çdo ditë, kudo që të jetë”, tha ai.
Në lidhje me kandidaturat që janë shfaqur deri më tani për garën në Tiranë, Berisha përmendi emrat e Edlira Cepanit, Florian Hackajt dhe Ermal Hasimes, duke i vlerësuar, por pa dhënë një qëndrim të qartë për mbështetjen e ndonjërit prej tyre.
“Unë i rezervoj vetes të drejtën që të mos prononcohem. Jam i gatshëm të mbështes modelin që pranohet më gjerësisht nga opozita”, shtoi Berisha.