Nga orët inteligjente Apple Watch te unazat Oura Ring, teknologjitë që matin shëndetin janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë.
Mirëpo, sipas ekspertëve, një tregues i fuqishëm i jetëgjatësisë shpesh anashkalohet: shëndeti i muskujve.
Dr. Gabrielle Lyon, e specializuar prej vitesh në studimin e lidhjes mes forcës muskulore dhe plakjes, thekson se nuk mjafton të shikojmë vetëm tensionin e gjakut, gjumin apo shëndetin kardiovaskular.
“Muskujt skeletorë janë çelësi i jetëgjatësisë. Sa më të fortë dhe të shëndetshëm të jenë, aq më gjatë dhe më mirë jetoni,” – thotë ajo për Women’s Health.
Këto muskuj, që kontraktohen e relaksohen për të mundësuar çdo lëvizje të trupit, nuk shërbejnë vetëm për forcë fizike. Ata janë organe metabolike dhe endokrine, që ndikojnë tek ndjeshmëria ndaj insulinës, metabolizmi, sistemi imunitar dhe madje edhe truri.
Pse muskujt lidhen me jetëgjatësinë?
Muskujt prodhojnë hormone të quajtura myokina, të cilat reduktojnë inflamacionin, mbrojnë kundër sëmundjeve dhe përmirësojnë funksionet jetësore. Një studim i botuar në Endocrine Reviews tregoi se këto substanca mund të shpjegojnë pse aktiviteti fizik ul rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe demencës.
Dr. Khemani, profesor klinik në Universitetin Stanford, shton:
“Muskujt komunikojnë me organet e tjera – tru, mëlçi, sistem imunitar – duke rregulluar procese jetike si kontrolli i sheqerit në gjak, metabolizmi, gjendja shpirtërore dhe shëndeti mendor. Prandaj, shëndeti i muskujve është ndër parashikuesit më të fuqishëm të jetëgjatësisë.”
Si mund të matet forca muskulore?
Një ndër treguesit më të mirë është aftësia për të kryer lëvizje funksionale si squats, pompa (push-ups) dhe tërheqje (pull-ups).
Studimet tregojnë se burrat që arrijnë të bëjnë 40 pompa kanë rrezik shumë më të ulët vdekshmërie sesa ata që bëjnë vetëm 10.
Për gratë, edhe më pak përsëritje sjellin përfitime të ngjashme.
Dr. Lyon rekomandon si prag minimal: 10 pompa, 1 tërheqje pa ndihmë dhe 25 squats.
Një test i thjeshtë, i njohur si grip test (forca e shtrëngimit të dorës), mund të tregojë gjithashtu gjendjen muskulore. Një shtrëngim i fortë lidhet me më pak rrezik nga sëmundjet e zemrës, diabeti tip 2, artriti dhe disa lloje kanceri. Ndërsa dobësia është shenjë e sarkopenisë – humbje e masës dhe funksionit muskulor.
Si të ruani shëndetin e muskujve?
Ekspertët sugjerojnë:
Stërvitje force dy herë në javë për të gjitha grupet muskulore.
Pesha sfiduese: zgjidhni një peshë që mund ta përsërisni vetëm 1–2 herë më shumë pas përsëritjes së fundit.
Pushim dhe gjumë cilësor: gjatë gjumit prodhohen hormonet që rigjenerojnë muskujt.
Aktivitet i vazhdueshëm gjatë ditës, duke shmangur periudhat e gjata të qëndrimit ulur.
Ushqyerje e shëndetshme dhe analiza të rregullta të gjakut për nivelin e sheqerit, kolesterolit dhe triglicerideve.
Dr. Lyon përfundon:
“Muskujt nuk ndërtohen brenda natës, por është e sigurt se asnjëherë nuk është vonë – apo shumë herët – për të përmirësuar shëndetin muskulor. Forca dhe masa muskulore janë ndër treguesit më të fuqishëm të plakjes së shëndetshme.” /GazetaExpress/