Nazmi Zeqiri, profesor universitar, në emisionin EURO n’T7 me Menduh Abazin ka thënë se shumë premtime të kandidatëve për kryetar të komunave janë pa analizë buxhetore dhe si të tilla më shumë janë propagandë politike sesa premtime që mund të realizohen.
Sipas tij, kjo dukuri më shumë është vërejtur te kandidatët e LVV për kryetar komune, ku premtimet e tyre nuk i kalkulojnë në buxhetin komunal për investime, por në përkrahjen e mundshme të qeverisë duke përmendur Albin Kurtin.
“Shumë kandidatë për kryetar komune nga LVV në premtimet e tyre përmendin kryeministrin në detyrë Albin Kurti duke thënë se premtimet do t’i realizojmë bashkë. Varësinë në realizimin e projekteve/premtimeve shumë kandidatë e lidhin me faktin se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm. Kryetarët nuk do të duhej të krijojnë kësisoj varësie, sepse në total buxheti vjetor i të gjitha komunave është rreth 800 milionë euro, ku mbi 55% është për paga e mëditje dhe vetëm rreth 20% është i kontrolluar nga ta si pjesë e të hyrave vetanake. Duke u bazuar në këtë, është komplet e padrejtë që të bësh fushata e projekte duke u bazuar në nivelin qendror”, ka thënë Zeqiri.
Në anën tjetër, sipas tij, kryesisht komunat që janë udhëhequr nga LVV janë trajtuar ndryshe nga komunat e tjera, të cilat ose nuk janë përkrahur fare, ose iu janë bllokuar shumë projekte kapitale, siç ka ndodhur me Prishtinën e Prizrenin.
“Kemi vërejtur shumë ankesa nga komuna e Prizrenit, Prishtina dhe komunat e tjera të mëdha, të cilat gjatë këtyre katër vjetëve kanë marrë shumë më pak përkrahje nga qeveria sesa komunat e vogla siç janë Shtimja dhe Podujeva. Këto dy komuna kanë përfituar shumë më shumë se komunat e tjera. Kjo është një padrejtësi që iu ka ndodhur komunave tjera dhe po ashtu është e padrejtë që në fushatë kandidatët për kryetar të LVV vazhdimisht të thirren se kryeministri në detyrë do t’i përkrahë ata më shumë sesa partitë e tjera që sot janë në opozitë”, ka shtuar Zeqiri.
Asnjë kryetar komune, sipas Zeqirit, nuk duhet të mundohen ta përvetësojnë qeverinë e vendit, sepse kjo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë e jo të bëjë dallime në përkrahje të projekteve kapitale, siç ka ndodhur në katër vitet e fundit.