Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Rajonin e Tiranës ka arrestuar në flagrancë Inspektorin M. L., punonjës i Policisë së Shtetit me detyrë Trupë Shërbimi në Bllokun e Sigurisë në DVP Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, “ky operacion i realizuar falë informacionit konfidencial dhe veprimeve profesionale, ndaloi një punonjës të policisë i cili dyshohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Moskallëzimit të krimit”.
Në këtë rast, falë kontrollit fizik të kryer nga AMP, policit iu gjet një dozë prej 0.4 gram lënde narkotike (kokainë e dyshuar) dhe 70 euro, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Materialet hetimore janë referuar pranë Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të vijojë punën me vendosmëri për të identifikuar dhe ndëshkuar çdo akt të kundërligjshëm brenda strukturave policore.