Presidenti Donald Trump tha se Hamasi duhet të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje të propozuar për Gazën deri të dielën në mbrëmje dhe kërcënoi se grupi do të përballet me më shumë sulme nëse nuk e bën këtë.
“Një marrëveshje duhet të arrihet me Hamasin deri të dielën në mbrëmje në orën GJASHTË (6) pasdite, sipas kohës së Uashingtonit,” shkroi Trump të premten në mediat sociale.
“Çdo vend ka rënë dakord! Nëse kjo MARRËVESHJE E FUNDIT nuk arrihet, do të shpërthejë FERRI — siç nuk është parë ndonjëherë më parë — kundër Hamasit. DO TË KETË PAQE NË LINDJEN E MESME, NË NJË MËNYRË APO NË TJETRËN”, ka shkruar ai.
Presidenti republikan zbuloi planin së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në fillim të kësaj jave, shkruan AP, transmeton Gazeta Express.
Propozimi i Trump do ta vendoste Gazën nën kontrollin e një komiteti të përkohshëm qeverisës të udhëhequr nga vetë Trump. Ish-kryeministri britanik Tony Blair do të përfshihej gjithashtu.
Civilët nuk do të detyroheshin të evakuoheshin nga territori, diçka që Trump e kishte përmendur më parë. Hamasi do të detyrohej të çarmatosej dhe të lironte çdo peng të mbetur. Luftëtarët që kanë mbijetuar do të lejoheshin të largoheshin.
Hamasi tha të martën se do ta shqyrtonte propozimin. Trump u tha gazetarëve atëherë se Hamasi do të kishte “tre ose katër ditë” për t’u përgjigjur.
Trump është përpjekur të detyrojë t’i japë fund konfliktit, i cili filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Postimi i tij i fundit në mediat sociale është një tjetër përpjekje për të rritur presionin mbi Hamasin.