Polici në Tiranë kapet me drogë, dyshohet se do ta shiste brenda komisariatit
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Inspektor M. L., me detyrë trupë shërbimi në Bllokun e Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Moskallëzim krimi”.
Sipas AMP-së, arrestimi u krye në bazë të informacioneve konfidenciale që tregonin se M. L. do të zhvillonte një takim për të blerë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, me qëllim shpërndarjen e saj në ambientet e Bllokut të Sigurisë, aty ku ai ushtronte detyrën.
Gjatë kontrollit fizik, policit iu gjet një dozë kokaine (0.4 gram) dhe 70 euro, që dyshohet se ishin të lidhura me aktivitetin kriminal. Të gjitha materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP njofton se mbetet e angazhuar për të luftuar çdo formë të abuzimit me detyrën në radhët e policisë dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast përmes numrit pa pagesë 0800 90 90 ose në adresën e emailit [email protected].