William Styron (1925 – 2006), romancier dhe eseist amerikan. Fitues i çmimit Pulitzer më 1968 për romanin The Confessions of Nat Turner
William Styron për William Blackburn, 23 korrik 1949
Valley Cottage, NY
I dashur profesor Blackburn
Prej se jam përplasur për stomit të ujit, që të citoj një metaforë origjinale, gjatë shkrimit të romanit tim, kam shkuar me mendjen se tash është koha e duhur t’ju njoftoj për të bëmat e mia të fundit. Pauza momentale në roman është, ju siguroj, vetëm momentale; saherë që e mbaroj një seksion kam një a dy ditë kur në mënyrë të dëshpëruar rrëmoj për gjënë e radhës që duhet të shkruaj, ndërkohë që në të njëjtën kohë e siguroj veten se kjo është marrëzi dhe se është e dhimbshme të vazhdoj tutje ashtu. Sidoqoftë, përherë ia dal të procedoj tutje.
Mbase keni qenë i informuar, tash jam duke jetuar me miqtë e mi, de Limas, në shtëpinë e tyre në Valley Cottage, që është nja 25 milje deri në Hudson nga Nju Jorku. Është vend i këndshëm për të jetuar dhe punuar dhe de Limas – nëna dhe vajzat – janë ndër njerëzit më të lezetshëm mbi këtë tokë. Prej se jam këtu – pak më shumë se një muaj – kam përfunduar një tregim të shkurtër të një gjatësie të konsiderueshme, që mendoj se është mjaft i kënaqshëm dhe tashmë është vënë në qarkullim. Kam rifilluar punën fuqishëm në romanin Peyton – duke ndjekur këshillën tuaj dhe të të tjerëve si dhe vetëdijen time – dhe ma ha mendja se po shkon për mrekulli. Ndoshta është vetëm atmosfera, kënaqësia dhe stimulimi i përhershëm i miqve të mi, por kurrë nuk kam arritur një periudhë të tillë të punës serioze dhe pëlqyeshme. Po ashtu ka bukur shumë libra këtu dhe një gramafon bukur i mirë me një bibliotekë të madhe pllakash, përfshirë Koncertin B për violinë të Bachut – lëvizja e ngadaltë e të cilit më paralizon saherë që e dëgjoj. Pastaj, po ashtu – si rrjedhojë me gjasë e të gjitha këtyre kënaqësive, kam zënë të jetoj një jetë disi më pak të çrregullt, duke u ngritur në orën tetë në vend se në dymbëdhjetë, duke punuar gjithë ditën me aq sa ma lejon imagjinata dhe në mbrëmje duke luajtur shah me Sigridin deri në mesnatë, kohën kur shkoj të fle, siç është e hijshme dhe e denjë, si shumica e njerëzve. Ndoshta do të nis të shkruaj si Anthony Trollope*. Sido që të jetë shpesh më bren ndërgjegjja, duke vrarë mendjen çfarë pune të mbarë kam bërë që të meritoj një jetë të tillë.
Shkrimin e tashëm të romanit ende e shoh si punë fort agonizuese, por jo pa momentet e saj të sharmit dhe eksitimit. Ndryshimi i madh në planet e mia ndodhi një ditë kur hasa në idenë e ndarjes së tregimit në katër ose pesë seksione, ku secili seksion në vete trajton subjektivisht njërin prej personazheve kryesore dhe seksioni i fundit përshkruan Peytonin, vajzën, në ditën e vdekjes së saj. Kështu mund ta mbaj ende motivin e tregimit që rrëfehet gjatë një cikli njëditor dhe në të njëjtën kohë kam një mënyrë të mirë, jo aq kundërthënëse, të rrëfej gjëra të shumta që kanë ndodhur në të kaluarën. Mungesa e një mënyre të tillë ishte ajo që më kishte stopuar gjashtë muaj më parë, megjithëse ende nuk e di se çfarë mendjelehtësie kolosale më kishte shtyrë të dështoja në gjetjen e kësaj mënyre që në fillim.
Pra kështu unë ia mbaj tutje hareshëm, duke besuar se Zotat do të më lejojnë të mbaroj librin dhe do të më ndihmojnë të mbudhem shtegut të drejtë. Po ashtu jam përcaktuar që të mos i përshpejtoj gjërat. Shumica e romaneve të para, më duket mua, kanë një cilësi të shquar të “dobësisë” në lidhje me to; duket se ngarendin, në një orvatje të marrë, pa dyshim, të botohen herët me çdo kusht. Po qe nevoja, do të ndaj tri vjet që të mbaroj këtë libër, por s’do ta flijoj cilësinë për një botim të shpejtë. Jam i lodhur nga të qenët i ngarë në të gjitha anët nga njerëzit që habiten pse nuk e kam përfunduar tashmë, pse nuk po merrem tashmë me librin e dytë a të tretë – nga njerëz që thjesht nuk e dinë se sa mendimi, shkrimi dhe gërvishtja e penës duhet të prodhojnë diçka që ia vlen që të mbajë emrin e artit. Jam bukur serioz përkitazi me tërë këtë problem. Papritur – pas një morie lëkundjesh – jam zgjuar duke e kuptuar se jam shkrimtar, le të ndodhë çka të ndodhë; dhe përnjëmend i jam përveshur punës thua se po vjen kiameti.
Siç thotë ajo fjala, jam me punë në det, e më duhet të merrem me pompat.
Për herë të parë, po ashtu, kam ardhur vërtet te përfundimi se dua të shkruaj, jo thjesht të jem “shkrimtar”. Kjo, hamendësoj, është një shenjë e mirë. Me kalimin e çdo dite, gjej diçka të re që përnjëmend dua të them, ndërkohë që bëhen gradualisht gjithnjë e më i sigurt në idenë time rreth asaj se si dua ta them atë. Për këtë mendoj se kam reshtur së marri seriozisht recensionet e librave dhe kritikët e vegjël të mjerë të Partisan Reveiw, njerëz për të cilët dikur mendoja se ishin profetë, por të cilët, i kam rënë në të tash, janë asgjë më shumë se pakurrizorë, frikacakë, parazitë**. Jo që ua kam kthyer shpinën parimeve “artistike”; larg asaj, jam tmerrësisht i vetëdijshëm për to. Por periudha ime e “të folurit” ka marrë fund; tash po veproj.
Vepra ime, shpresoj, nuk do të jetë as pesimiste as optimiste, as, besoj, nuk do t’i përkasë asnjë “shkolle”. Jam i interesuar për njerëzit dhe dilemat e tyre të përjetshme dhe nëse mund t’u jap atyre substancë artistike atëherë do të jem i kënaqur. Nëse kam ndonjë “mesazh”, nuk e di cili është ai, derisa të jetë ai i njerëzillëkut, i shprehur thjesht ashtu, mund të tingëllojë më tepër banal, por të cilin do ta besoj si një parim të një rëndësie të konsiderueshme.
Tash pra shpresoj se do të më falni që u tregova kaq i mërzitshëm, por mendova se mund të jeni i interesuar të dini se dikush që ka përfituar aq shumë nga të pasurit e një mësuesi dhe miku si ju ka qenë udhës së pranimit të vetvetes dhe tash po përgatitet të bëj diçka serioze.
Si po ju duket të jetoni në 901 Fifth St***? Kuptova nga Brice dhe të tjerët se ish shoku im i dhomës e ka bërë jetën e tij rrëmujë. Ma merr mendja se apartamenti është bukur i nxehtë tash, por do të kompensoheni në dimër nga ngrohtësia e këndshme që do të ndieni. Nuk kam lajme nga Mac Hyman së fundmi, por kam ndërmend t’i shkruaj pas pak ditësh dhe të shoh si është.
Ju lutem shkruamëni dhe më informoni si po kaloni. Do të doja të pinim një martini së bashku me Brice dhe kanoniken time të vjetër
– 814 6th St.
Si gjithmonë,
Bill S –
Shënime:
* Anthony Trollope (1815–62) ishte njëri prej shkrimtarëve më prolifik të periudhës viktoriane. Ai pohonte se shkruante çdo mëngjes me një orë para vetes. Pas saktësisht një ore, i hipte trenit për të fituar bukën e gojës si inspektor poste. Sado që ishte kritikuar rëndë për qasjen e tij mekanike, në fund kishte dalë se ai vetëm kishte pretenduar se e kishte ndjekur një rutinë të tillë të rreptë.
** Kjo është hera e parë që Styron përmend përbuzjen e tij për kritikët, tropi i tij më i madh në korrespondencën e tij në pesëdhjetë vjetët e ardhshme.
*** Blackburn tashmë ishte ndarë nga gruaja e tij e parë.
/Marrë nga William Styron, ‘Selected Letters’ Random Huose, 2012
/Përkthimi: Gazeta Express