Ditari i javës/ John Stuart Mill: 8 – 16 janar 1854  - Gazeta Express
string(47) "ditari-i-javes-john-stuard-mill-8-16-janar-1854"

Arte

Gazeta Express

03/10/2025 15:01

Ditari i javës/ John Stuart Mill: 8 – 16 janar 1854 

Arte

Gazeta Express

03/10/2025 15:01

John Stuart Mill (1806 – 1873), filozof, ekonomist politik, politikan dhe shërbyes civil anglez. Njëri prej mendimtarëve me më ndikim në historinë e liberalizmit dhe social-liberalizmit. Ka kontribuuar gjerësisht në zhvillimin e teorisë sociale, teorisë politike dhe ekonomisë politike. 

8 janar

 Ky libër i vockël është një eksperiment. Çkado tjetër që të ofrojë, thjesht do të ilustrojë, në fund të fundit në rastin e shkrimtarit, atë se çfarë efekti shkakton te mendja obligimi i të pasurit, të paktën, të një mendimi në ditë për të cilin ia vlen të shkruhet. Për këtë qëllim asnjë specialitet, qoftë i shkencës qoftë i praktikës, nuk mund të llogaritet më shumë si mendim. Po ashtu mund të lidhë me jetën, ndjesinë, ose spekulimin e thellë metafizik. Gjëja e parë që kam fatin të zbuloj në këtë orvatje është se jo vetëm një mendim në ditë, por unë s’e kam pasur një tillë as edhe për një muaj të tërë; por pra vetëm përsëritje të mendimeve, kaq familjare për ne, sa vetëm sa do ta shfaqë varfërinë tonë nëse i hedhim në letër.

9 janar

Çfarë ndjenje mbrojtjeje na jepet nga vetëdija e të qenit të dashur nga të tjerët dhe çfarë ndjenje shtesë, përtej dhe mbi këtë, nga të qenët afër dikujt që ia duam dhe dëshiron t’ia duam të mirën. Tash për tash unë i përjetoj që të dyja; Se ndihem sikur asnjë e keqe e rëndë nuk mund të më ndodhë përnjëmend përderisa e kam atë që të kujdeset për mua; dhe po ashtu ndihem se kur largohem prej saj është si të isha larguar me një lloj hajmalie dhe atëherë jam më i hapur ndaj sulmeve të armiqve se sa kur jam me të1

10 janar 

Anglezët, parë nga një pikëvështrim i caktuar, janë pa mëdyshje dhe jashtëzakonisht njerëz budallenj. Parë nga një pikëvështrim tjetër, ata shquhen vazhdimisht si njerëz në mesin e të cilëve talenti, i një lloji të caktuar, gëlon. Kjo shpesh më mahnit, për shembull, kur lexoj dokumentet zyrtare indiane, ose kur shfletoj një numër të caktuar revistash ose magazinash. Duket të jetë fakt se aty ka një grumbull aftësish që konsistojnë në përcaktimin e asaj se çka duhet të bëhet duke supozuar se të gjitha këto gjëra janë rregulluar në mënyrën e duhur. Por edhe kur ato janë rregulluar në mënyrën e duhur, ai zakonisht e di ose mund ta dëshmojë atë; ai thjesht vetëm e beson atë. Maksimat, në mendjen e tij, nuk janë evidente; evidenca a tyre, për të, është se ato janë, në njëfarë mënyre, rritur brend mendjes së tij. 

11 janar

Ata që e mendojnë veten të thirrur, në emër të së vërtetës, t’iu shpallin luftë iluzioneve, nuk e perceptojnë dallimin mes një iluzioni dhe një deluzioni. Deluzioni është një mendim i gabuar – është të besosh një gjë që nuk është. Iluzioni, përkundër, është një çështje vetëm e ndjesisë dhe mund të ekzistojë krejtësisht i ndarë prej deluzionit. Ka të bëjë me nxjerrjen prej një konceptimi që e dimë se nuk është i vërtetë, por që është më i mirë se e vërteta, të njëjtën dobi për ndjesitë që mund të rrjedhin prej tij nëse do të kishte ndonjë realitet aty.

12 janar

Zor të gjesh një shembull më mahnitës të padobishmërisë së reputacionit postum se sa harresa në të cilën ka rënë im atë në mes të kësaj bote. Kush më shumë se ai kishte të drejtë të zinte vendin e tij në mesin e emrave të mëdhenj të Anglisë? Ai ka punuar gjithë jetën e tij pa interesimin më të vogël ndaj të mirës publike; nuk e ka pasur as ndikimin më të vogël mbi opinionin sa ishte gjallë, shumica e reformave që janë lavdëruar aq shumë mezi që ua gjen gjurmët tek ai dhe për fuqinë e intelektit dhe karakterit ai shquhej qartë mes njerëzve të gjeneratës së tij. Prapëseprapë, zor se ndonjë person, që ka arritur moshën e pjekurisë derisa ai ishte larguar nga skena gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, di ndonjë gjë për të, qoftë edhe emrin e tij. Duket të jetë e pranueshme, pjesërisht si shembull, se sistemi i opinionit me të cilin ishte identifikuar ai është tërhequr shumë në prapavijë viteve të fundit. Publiku i ka lënë mbrapa si pjesët e mira të tij ashtu edhe ato të këqija – nëse mund të quhen të këqija kur janë vetëm mangësi. 

13 janar

Inferioriteti i periudhës së sotme mbase është konsekuencë e superioritetit të saj. Duket vështirë që ndonjëri, te klasat më të edukuara, të ketë ndonjë opinion, ose të ketë ndonjë besim të vërtetë në ato që shprehet hapur t’i ketë. Në të njëjtën kohë, nëse krahasojmë shkrimet e çfarëdo periudhe të kaluar me këto të së tashmes, superioriteti i këtyre është i pashprehshëm. Jemi të habitur me sipërfaqësinë e shkrimtarëve më të vjetër; thellësitë e vogla në të cilat kanë sonduar çfarëdo çështjeje; porcionet e vogla të shqyrtimeve që kërkojnë të merren parasysh, për të cilat këta shkrimtarë duket të jenë interesuar. 

Këtyre kohërave kërkohet më shumë intelekt për të sistemuar një lloj grumbulli kaq të madh idesh dhe observimesh. Kjo nuk është bërë ende, ose është bërë vetëm shumë pak: dhe kështu shumësia e mendimeve vetëm sa e shton paqartësinë. Ata që duhet të jenë udhëheqës të pjesës tjetër, shohin shumë anë te secila çështje. Ata dëgjojnë shumë atë që thuhet, ose mendojnë se duhet të thonë shumë gjëra, rreth çdo gjëje, sa nuk e ndiejnë sigurinë e së vërtetës së asgjëje. Por aty ku nuk ka opinione të forta, atëherë nuk ka (përveç se, ndoshta, në çështje private) ndjenja të forta, as karaktere të forta. 

14 janar

Nganjëherë mendoj se ata që, si ne, mbahen pas lëvizjen evropiane, për shkak të kësaj rrethane hidhen jashtë rrymës së opinionit anglez dhe kanë më shumë gjasa të keqkuptojnë dhe gjykojnë gabimisht. Çka i preokupon mendjet e tre të katërtave të atyre në Angli që i kushtojnë rëndësi ndonjë interesi publik ose ndonjë çështjeje kundërthënëse? Grindja mes protestantëve dhe katolikëve; apo ajo mes pusejitëve dhe ungjillorëve2?

15 janar

Më duket se nuk ka progres dhe asnjë arsye për të pritur progresin, te talentet ose mendjet e fuqishme; diç të tillë ka shumë, shpesh më shumë, te një periudhë injorance se sa te një periudhë e ngritur. 

16 janar

Është një e metë e paanë e një karakteri të jetë i pandriçuar. Një karakter që është i tëri i ndriçuar nuk mund të ngjallë as respekt as simpati. Serioziteti duhet të dëshirohet nga të gjitha karakteret për të cilat ia vlen të mendohet. Por një lloj frymëzimi i filozofit përqeshës, qoftë edhe në formën më të ulët popullore – një hapje e atij vizioni të gjërave që, kur shfaqen në anën e tyre më pak të dinjitetshme, e bëjnë çfarëdo kujdesi të tepruar ndaj tyre të duket fëmijërore dhe qesharake – është një ndihmë e mrekullueshme për të përballuar të këqijat e jetës dhe unë mendoj se i ka ndihmuar shumë persona nga marrosja. Po ashtu është e domosdoshme edhe për kompletimin e vetë intelektit. Ana e përbuzshme e gjërave është pjesë, megjithëse pjesërisht, e së vërtetës së tyre dhe të mos jesh në gjendje të shohësh dhe ndjesh atë pjesë me aq forcë dhe qartësi si çdo tjetër – të jesh i verbër ndaj atij aspekti të gjërave që ishte e vetmja që cinikët3 kishin zgjedhur ta kishin parasysh – është të jesh në gjendje të shohësh gjërat vetëm përgjysmë. Përherë duket të ketë diçka të rrëgjuar në intelektin e atyre që nuk kanë humor, sado seriozë dhe entuziastë, sado shumë të edukuar që të jenë. 

Shënime: 

1) I referohet gruas së tij Harriet Taylor Mill (1807-58).

2) Anglo-katolikët, ose Partia e Kishës së Lartë në Kishën e Anglisë, shpesh identifikoheshin si ndjekës të Edward Bouverie Pusey (1800-82), njërit prej themeluesve të Oxford Movement. Zakonisht ishte rivale e Kishës së Ulët, ose Partisë ungjillore. 

3) Shkolla cinike e filozofëve grekë, e themeluar nga Antisthensi (450-360), e mishëruar me Diogjen Cinikun, mendonte se virtyti, jo kënaqësia, është qëllimi i ekzistencës. 

/Marrë nga John Stuart Mill, ‘Journals and Debating Speeches’, University of Toronto Press, 1988

/Përkthimi Gazeta Express