Grupi për Studime Juridike dhe Politike ngre alarmin për pasoja negative për Kosovën në arenën ndërkombëtare në rast se vazhdon edhe më tej bllokada institucionale. Hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi tha se pa një qeveri dhe kuvend funksional Kosova do të ngecë në proceset integruese, përfshirë anëtarësimin në BE dhe Këshill të Evropës.
Po ashtu sipas tij në mungesë të një Kuvendi Kosova është duke rrezikuar edhe humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes së BE-së.
“Pa një qeveri dhe kuvend funksional Kosova mund të pres pasoja negative në rrafshin ndërkombëtar. Pikë së pari për vendin është e rëndësishme anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Ne kemi aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës. Këto aplikime do të ngecin pa një qeveri funksionale që do të mund të lobojë në favor të anëtarësimit. Pa qeveri me mandat të plotë nuk do të mund të ketë politikë të jashtme të Kosovës për të shtyrë përpara këto procese. Së dyti pa një kuvend funksional Kosova s’mund të përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare. Janë shumë marrëveshje që kërkojnë ratifikimin në Kuvend. Si GLPS kemi tërhequr vëmendjen për Planin e Rritjes të BE-së…duke qenë që kjo marrëveshje nuk është ratifikuar në Kuvend s’po mund ta marrim as para financimin prej 62 milionë eurosh dhe së fundit Kosova ka nevojë për një diplomaci më pro aktive dhe një ministre ne detyre s’mund te kemi politikë të jashtme aktive. Kosovës i duhet urgjent një qeveri me mandat të plotë dhe një kuvend që politika e jashtme të ecë me hapa të shpejtë përpara”, tha Gërgi për RTV21.