Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka folur gjatë ceremonisë ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, ku gjenerali turk Ozkan Ulutas do të rikthehet në këtë detyrë pasi Enrico Barduani ka përfunduar mandatin.
Osmani ka thënë se Kosova e ka dëshmuar veten si një vend i përkushtuar për vlerat e demokracisë, lirisë dhe sigurisë kolektive dhe se aspirata për të hyrë në NATO s’është vetëm strategjike por edhe tregues i asaj se kush është Kosova.
“Populli i Kosovës gjithmonë ka qenë i rreshtuar në vlerat e demokracisë, dhe sigurisë kolektive. Prandaj aspirata jonë për t’u anëtarësuar në NATO s’është vetëm zgjidhje strategjike, por një tregues i asaj kush jemi”, ka deklaruar presidentja.
“Kosova e ka dëshmuar veten më qëndrueshmëri dhe reforma. Do të vazhdojmë të bëjmë kështu përkrah aleatëve”, ka shtuar tutje.
Osmani ka thënë se duhen përgjigje të forta dhe të vendosura ndaj atyre që cenojnë sigurinë dhe që synojnë të zhbëjnë gjithë progresin e bërë përgjatë këtyre viteve.
“Partneriteti s’mund t’i jepet atyre që kryejnë agresion kundër fqinjëve”, ka thënë Osmani.
Kjo fjali e presidentes Osmani duket të jetë si rezultat i zhvillimeve të fundit ku SHBA po bëhet gati të nisë Dialogun Strategjik me Serbinë, ndërkohë që Kosovës i është pezulluar faza përgatitore./Express/