Një aksident i rëndë rrugor është shënuar pasditen e sotme në aksin Lushnje–Berat, pranë fshatit Qerret, ku dy automjete janë përplasur frontal me njëra-tjetrën, duke shkaktuar plagosjen e tre personave.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, shkak i përplasjes dyshohet të ketë qenë një parakalim i gabuar nga një automjet tip Audi, i cili po lëvizte në drejtim të Lushnjes. Sipas të njëjtave burime, drejtuesi i Audit ka hyrë në parakalim pa vlerësuar distancën dhe kohën e nevojshme, duke hyrë në korsinë e kundërt dhe u përplasur kokë më kokë me një automjet tip Skoda që vinte nga ana tjetër.
Në Audin ndodheshin dy persona, ndërsa në Skoda ishte vetëm drejtuesi i mjetit. Të tre personat janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjes, ku sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Për shkak të dëmtimeve të mëdha në pjesën e përparme të automjeteve, është kërkuar edhe ndërhyrja e zjarrfikëses për të hapur llamarinat e shtypura dhe për të nxjerrë të plagosurit.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, ndërsa është bërë edhe devijimi i përkohshëm i trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit në zonë.