Kreu i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se ish-drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Avni Morina, është liruar sot nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të dhe se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.
Latifi ka shkruar se gjithmonë ka besuar në pastërtinë dhe profesionalizmin e Avni Morinës por se kishte vendosur ta lirojë nga detyra në respekt të drejtësisë, ligjit dhe për shkak të përgjegjësisë dhe llogaridhënies para qytetarëve.
Postimi i plotë:
Më gëzoi pa masë lajmi që miku dhe bashkëpunëtori im, ish-Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, është liruar nga të gjtha akuzat që rëndonin mbi të dhe është shpallur i pafajshëm me aktgjykim të plotëfuqishëm nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.
Gjithmonë kam besuar në pastërtinë, etikën, profesionalizmin dhe ndershmërinë e Avniut, por për hir të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale që kemi para qytetarëve të Rahovecit e institucionit komunal, e në respekt të ligjit e të institucioneve të drejtësisë, e pata liruar nga detyra me rastin e aktgjykimit të shkallës së dytë, Gjykatës së Apelit.
Më vjen mirë që Avniu ka verifikuar pastërtinë e tij në shkallën më të lartë të gjyqësorit, por edhe punën tonë si ekip. Ne kemi punuar, punojmë ende dhe do të punojmë edhe në të ardhmen me ndershmëri, transparencë, llogaridhënie dhe vetëm për interesin madhor kolektiv, për qytetarët e Komunës së Rahovecit.
Avniut i uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në jetën e tij profesionale!