Të qenurit i organizuar, i përfshirë dhe i dobishëm jo vetëm që mund t’ju bëjë më të këndshëm përreth të tjerëve, por sipas kërkimeve të reja, mund t’ju ndihmojë edhe të jetoni më gjatë.
Nga ana tjetër, zakoni për t’i lënë gjërat për në minutën e fundit, kur niveli i stresit është i lartë, ose të qenurit shpesh ankthioz apo me humor të luhatshëm, mund të lidhet me jetë më të shkurtër.
Duke shkruar në Journal of Psychosomatic Research, ekspertët e jetëgjatësisë thanë se gjetjet e tyre mund t’i ndihmojnë mjekët të parashikojnë rrezikun shëndetësor jo vetëm bazuar në matje konkrete si tensioni i gjakut, por edhe në mënyrën se si dikush mendon, ndien dhe sillet.
Profesor Rene Mottus, ekspert për plakjen dhe ndryshimet individuale, bashkautor i studimit, tha:
“Në vend që të shohim llojet e gjera të personalitetit si ekstrovert apo i ndërgjegjshëm, ne u fokusuan tek përshkrime më të sakta: mënyra e saktë se si njerëzit e përshkruanin veten kur plotësonin pyetësorë të standardizuar të personalitetit.”
Ata zbuluan se këto përshkrime të thjeshta për veten, të cilave shpesh nuk u kushtojmë shumë rëndësi, mund të parashikojnë në heshtje se kush jeton më gjatë.
Fjala “aktiv” ishte më domethënësja, tha Prof. Mottus për The Guardian.
“Pjesëmarrësit që e përshkruan veten kështu kishin dukshëm më pak gjasa të vdisnin gjatë periudhës së studimit – me 21% rrezik më të ulët, edhe kur u morën parasysh mosha, gjinia dhe gjendjet mjekësore.”
Tipare të tjera që pasuan afër ishin energjia, organizimi, përgjegjësia, punëtoria, korrektësia dhe dobishmëria.
Në studim, studiuesit ndoqën mbi 22,000 të rritur në katër studime kryesore, me periudha ndjekjeje nga gjashtë deri në 28 vjet.
Ata zbuluan se këto nuanca specifike – jo vetëm të qenurit ekstrovert në përgjithësi – parashikonin rreziqet e mortalitetit më mirë se pesë tiparet e gjera të përdorura zakonisht për të përmbledhur personalitetin: hapja, ndërgjegjshmëria, ekstroversioni, pajtueshmëria dhe neuroticizmi.
Profesor Páraic O’Súilleabháin, profesor i psikologjisë në Universitetin e Limerick dhe bashkautor i studimit, shtoi:
“Rëndësia e këtij studimi qëndron tek saktësia. Ai sugjeron se personaliteti nuk funksionon thjesht si ndikim i përgjithshëm, por si një grup sjelljesh dhe qëndrimesh specifike – dhe këto karakteristika individuale kanë ndikim të matshëm në jetëgjatësi.”
Me fjalë të tjera, Prof. Mottus shpjegoi:
“Nuk ka të bëjë thjesht me të qenurit ekstrovert – ka të bëjë me të qenurit i shoqërueshëm, punëtor dhe i dobishëm. Njerëzit mund të jenë njësoj të ndërgjegjshëm ose ekstrovertë, por në mënyra të ndryshme. Pikërisht këto dallime të nuancuara kanë rëndësi – ndoshta edhe për kohëzgjatjen e jetës.”
Ndërkohë që tiparet pozitive si të qenurit i dobishëm ndihmuan njerëzit të jetonin më gjatë, studiuesit zbuluan se tiparet negative kishin efektin e kundërt: personat që thanë se shpesh përjetonin ankth, ishin të luhatshëm ose mërziteshin lehtë, kishin më shumë gjasa të vdisnin më herët.
Megjithatë, ekspertët theksuan se jetëgjatësia nuk është e paracaktuar dhe se sa gjatë jeton dikush, ashtu si personaliteti, nuk është i pandryshueshëm.
“Ajo që sugjeron kërkimi ynë është se personaliteti mund të luajë një rol mbështetës – një rol që është nënvlerësuar në mjekësi dhe shëndetin publik,” shpjegoi Prof. O’Súilleabháin.
Studimi gjithashtu gjeti se faktorë të njohur rreziku si pasiviteti fizik, sëmundjet kronike dhe BMI shpjegonin pjesërisht lidhjen mes personalitetit dhe jetëgjatësisë.
“Kjo do të thotë se të qenurit ‘i organizuar’ mund t’i ndihmojë njerëzit të qëndrojnë besnikë ndaj rutinave që përmirësojnë shëndetin, por gjithashtu mund të pasqyrojë një qëndrueshmëri psikologjike ose zakone sociale që kontribuojnë në një jetë më të gjatë,” shtoi Prof. O’Súilleabháin.
Dr. Ross Stewart, profesor i personalitetit dhe psikologjisë në Universitetin e Chester, i cili nuk ishte pjesë e studimit, mirëpriti gjetjet:
“Deri më tani, shumica e studimeve ndaleshin tek niveli i tipareve të përgjithshme,” tha ai për The Guardian. /GazetaExpress/