Ish-drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se gjatë periudhës sa ka ushtruar këtë detyrë, janë realizuar mbi 700 rrugë në kryeqytet.
Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2023 kanë qenë mbi 300 kontrata aktive në projekte të ndryshme, duke përfshirë ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, kolektorëve, ndriçimit publik, kanalizimit, hapësirave publike, parkingjeve, si dhe unazave dhe hyrjeve të reja të Prishtinës.
“LDK, bashkë me kryetarin Përparim Rama, ka dëshmuar se puna dhe përkushtimi sjellin rezultate konkrete. Këto nuk janë vetëm numra në letër, por projekte që qytetarët i shohin çdo ditë dhe që kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e tyre”, ka deklaruar Xhaferi.
Ndër projektet e përfunduara apo në proces ai ka përmendur: Rrugën A, Rrugën B, Unazën e Qytetit, Rrugën “Nekibe Kelmendi”, Unazën e Brendshme, rrugët në lagjet Ulpiana, Dardania, Kodrën e Trimave, ndërtimin e kolektorit në lagjen Kalabria, si dhe dhjetëra rrugë tjera në fshatra dhe zona periferike të Prishtinës.
Sipas tij, të gjitha këto janë dëshmi e punës së LDK-së në kryeqytet.
“Prishtina e meriton LDK-në dhe kryetarin Përparim Rama, sepse me LDK-në punohet, ndërtohet dhe ecet përpara”, ka përfunduar Xhaferi.