Një tjetër muaj, një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një tjetër moment paqartësie.
Situatë e përsëritur disa herë këtë vit. I vetmi dallim është që partitë më të mëdha shqiptare nuk e komentuan pothuajse fare vendimin e Gjykatës, e cila tha se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, dhe se kanë mbetur edhe 12 ditë për ta finalizuar procesin, prej momentit kur aktgjykimi të publikohet i plotë në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Nëse i analizojmë faqet zyrtare të partive në rrjete sociale, krerët e tyre duken shumë të zënë me fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, apo me takime me zyrtarë të huaj.
Por, njohësit e çështjeve politike iu sugjerojnë atyre të ruajnë pak energji, sepse me shumë gjasë do t’iu duhet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri beson se nuk ekziston asnjë mundësi tjetër për të dalë nga kriza institucionale në të cilën gjendet vendi.
“Nuk ka asnjë logjikë që të vazhdohet me këtë bllokadë. Për fat të keq, e kemi një absurditet, që as Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve, dhe as partitë tjera, nuk dëshirojnë ta bëjnë shumicën, nuk kanë vullnet, nuk kanë guxim, nuk kanë ide”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Për këtë arsye, opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhjet e reja, që të rilegjitimohen partitë politike, liderët, deputetët dhe të tentohet një kthim në normalitet”, shprehet Muhaxhiri.
Për politologun Dritëro Arifi, zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por janë mënyra e vetme për t’u larguar nga ajo që ai e quan “marrëzi politike”.
“Vendi është, realisht, në anarki, Kosova është në anarki totale. Parlamenti nuk ka kontroll, as mbi Qeverinë, as mbi Policinë, as mbi ushtrinë, as mbi inteligjencën. Realisht është vend pa kontroll”, thotë ai për REL-in.
Si erdhëm deri këtu?
Ende pa u formuar institucionet e reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit lindën idetë për zgjedhje të reja, teksa situata është gati e pashembullt prej pavarësisë e këndej.
LVV-ja fitoi më së shumti vota në zgjedhje, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë. Për pasojë, partitë më të mëdha kanë dështuar që të arrijnë konsensus për koalicion qeveritar, dhe janë bllokuar në një mori procesesh, duke nisur nga konstituimi i Kuvendit.
Deputetët kanë mbajtur dhjetëra seanca, dhe kanë dalë disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo procesi nuk është finalizuar me sukses.
Aktgjykimi i fundit ka të bëjë me ankesën e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari serb, por Gjykata konstatoi se diçka e tillë nuk qëndron.
Njohësit e çështjeve politike besojnë se fajin kryesor për situatën e krijuar e ka elita politike, e cila nuk është e interesuar për të gjetur zgjidhje.
Disa, sikurse Dritëro Arifi, besojnë se fajin më të madh për situatën e krijuar e ka LVV-ja.
A do të prodhonin rezultat tjetër zgjedhjet e reja eventuale?
Artan Muhaxhiri beson se po.
“Sipas logjikës politike, do të duhej të kishte [rezultat tjetër], sepse kjo bllokadë ka ardhur kryesisht si pasojë e mungesës së vullnetit politik nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sërish i dëshironte 50 për qind”, thotë ai.
“Qytetarët e Kosovës do të duhej të votonin në atë mënyrë që t’ua impononin bashkëpunimin, sepse sistemi politik në Kosovë është i tillë që pa një bashkëpunim nuk mund të ketë rezultat”.
Si mund të arrihet deri te zgjedhjet?
Në tekstet e plota të aktgjykimeve të lëshuara këtë vit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me krizën në Kuvend, nuk është përmendur ndonjë masë ndëshkuese nëse nuk respektohen afatet kohore të vendimeve që ajo ka marrë.
Arifi beson se ajo vepron kësisoj, pasi nuk mund ta paragjykojë vendimin që marrin deputetët.
“Janë deputetë të zgjedhur, është e vështirë që të penalizohen. Ajo vetëm vlerëson nëse një veprim ka qenë në harmoni me frymën dhe germën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është krejt çfarë mund të bëjë ajo”.
Sipas tij, për të ndryshuar situatën do të nevojitet ndërhyrja e presidentes, Vjosa Osmani.
“Presidentja do të duhet të ishte shumë më aktive, që ta kemi një Kuvend dhe një qeveri, që të lëvizim tutje, sepse jemi në muajin e 10-të që jemi vend i bllokuar, dhe askush nuk mund të jetë krenar për asgjë”, vlerëson ai.
As Muhaxhiri nuk beson se Kushtetuesja mund ta çojë vendin në zgjedhje, sepse kjo është çështje politike.
“Gjithsesi, presidentja do të mund t’i ftonte liderët e partive politike dhe në bashkëpunim me ta të arrinte në konkluzion që zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë që të dilet nga kjo bllokadë katastrofale që e ka pllakosur Kosovën prej 9 shkurtit”.
Ndërsa gëlojnë diskutimet për zgjedhjet e reja, faktori ndërkombëtar bën thirrje për zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për formim të institucioneve sa më shpejt.
Ndër më të fundit ishte apeli i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni një qeveri”.
A do të ketë vesh që e dëgjojnë dhe respektojnë këtë lutje? Të shohim… /REL/