SPAK ka shkatërruar një organizatë kriminale që vepronte në zonën e Gjirit të Lalëzit, e përfshirë në vrasje me pagesë dhe tjetërsim pronash përmes falsifikimit të dokumenteve. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO ka lëshuar nëntë urdhër-arreste, prej të cilave pesë janë ekzekutuar, ndërsa katër persona vijojnë të jenë në kërkim.
Grupi kriminal drejtohej nga Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, aktualisht në arrati. Për Edlira Avdylajn, gjykata caktoi masën “ndalim për dalje jashtë vendit”.
Hetimet kanë zbardhur edhe vrasjen e Edmir Bregut (alias Ilir Kuçi – “Maloku”), ngjarje e ndodhur më 24 janar 2021 në Durrës. Sipas SPAK, ekzekutimi u krye për hakmarrje me porosi të Astrit Avdylajt, pasi më herët ishte tentuar vrasja e nipit të tij, Aldo Avdylaj. Ky i fundit dyshohet se ka shërbyer si koordinator i grupit, ndërsa si ndihmës akuzohet Enea Kume, vëllai i një deputeti të PS. Për ekzekutimin e Bregut, në kërkim janë dy persona të tjerë, E.D. dhe A.D.
Ndërkohë, Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, është një emër i njohur i botës së krimit. Në korrik 2024, Apeli i GJKKO e dënoi me 3 vite burg për korrupsion aktiv, në lidhje me tjetërsimin e 45 mijë m² tokë në Gjirin e Lalzit, dënim që iu ul në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai akuzohet gjithashtu për pengmarrjen e dy vëllezërve Beqiraj dhe për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.