Kur Glauk Konjufca bënte interpretime tjera për Kushtetutën e Listën Serbe, duke thënë "ata ta çojnë kë dojnë" - Gazeta Express
string(107) "kur-glauk-konjufca-bente-interpretime-tjera-per-kushtetuten-e-listen-serbe-duke-thene-ata-ta-cojne-ke-dojne"

Lajme

Gazeta Express

04/10/2025 18:33

Kur Glauk Konjufca bënte interpretime tjera për Kushtetutën e Listën Serbe, duke thënë “ata ta çojnë kë dojnë”

Lajme

Gazeta Express

04/10/2025 18:33

‘‘Ti Listën Serbe prej pjesëmarrjes në qeveri s’un e hjek’’, deklaronte para disa vitesh me plot bindje Glauk Konjufca, në interpretimin e tij të Kushtetutës së Kosovës, kur bëhej fjalë për ndarjen e pushtetit mes komuniteteve.

 Edhe pse atëherë arsyeja që shtyu realizimin e këtyre debateve, ishte tjetër nga ajo që është sot, logjika e njeriut numër dy të Lëvizjes Vetëvendosje, Konjufcës, flet shumë për bllokadën e krijuar, shkruan Gazeta Express.

Kuvendi i Kosovës, ende s’është konstituuar plotësisht pavarësisht dhjetëra seancave e muajsh pas zgjedhjeve. Dhe arsyeja për këtë është pikërisht mos zgjedhja e një deputeti nga ana komunitetit jo shumicë serb në krye të parlamentit si pjesë e kryesisë.

Pavarësisht se janë zgjedhur katër nënkryetarë nga pesë, Gjykata Kushtetuese pak ditë më parë njoftoi se kuvendi nuk konstituohet pa zgjedhjen edhe të anëtarit të pestë, e që ky i fundit duhet të jetë nga deputetët e komunitetit serb.

Përderisa njohësit e çështjeve kushtetuese e politike argumentojnë se nënkryetari i pestë duhet të jetë nga Lista Serbe, VV’ja në anën tjetër argumenton ndryshe. Këta të fundit madje edhe kanë dhënë votën ‘’pro’’ Nenad Rashiqit, deputet serb, porse i cili s’është pjesë e Listës Serbe.

Megjithatë ndryshe nga VV’ja, para disa vitesh mbante qëndrim Konjufca.

Edhe pse atëkohë diskutohej për prezencën e kësaj partie në qeveri, argumenti ish-kryetarit të parlamentit për ndarjen e pushtetit është i njëjtë me atë të njohësve politike, por i ndryshëm me të VV’së.

“Për që Goran Rakiqi është Zëvendës Kryeministër, aty s’ki çka me bë hiç. Sepse ai i ka marrë votat – dhe thuhet aty në Kushtetutë duhte m’i pas votat e minoritetit serb – edhe kryeministri Kurti nuk mundet me qitë çfarë të dojë ai, por çfarë të dojnë ata edhe ta çojnë ty”, deklaronte Konjufca, duke hedhur poshtë kështu qasjen e sotme të Kurtit që shtyn përpara emrin e Rashiqit si njeri i preferuar i tij.

Tutje, Konjufca argumentonte edhe se si, nëse qeveria e shkarkon një ministër nga radhët e Listës Serbe, këta të fundit e dërgojnë një emër të ri prej anës së tyre. 

“Po tash, procesi është kështu. Ti e shkarkon zotin Rakiq, edhe mas tetë ore, Lista Serbe ta dërgon një tjetër. Edhe ti ki me detyru mu shkarku për shkaqe krejtësisht formale, dhe ti thu “edhe qëky po më duket si zoti Rakiq”. Edhe e shkarkon tjetrin. Pastaj ata ta bijnë tjetrin pas 24 ore. Edhe ti e shkarkon (edhe atë). Edhe vjen njëfarë situate e cila unë nuk pe kuptoj argumentin e juaj. E çka po doni me argumentu ju? Ti Listën Serbe prej pjesëmarrjes në qeveri s’un e hjek. A të gjithë prej Listës Serbe që kanë me ardh pas Rakiqit, janë njëjtë si Rakiq, unë asnjë dallim nuk e bëj”, kishte argumentuar asokohe Konjufca në deklarimet e tij në Debat Plus , të cilat i ka ripublikuar Nacionale.

Po deklarim ndryshe ka bërë edhe vetë Konjufca javët e fundit.

Sipas interpretimit të ditëve të fundit, për dallim nga ai i para disa viteve, Konjufca ka argumentuar se kushtetuta e s’i jep kurrfarë supremacie në relacion me kryesinë e Kuvendit partisë fituese serbe.

“Edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës. Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Ajo është para një vendimi të madh, Kushtetuta e Republikës tonë nuk jep kurrfarë supremacie në relacion me kryesinë e Kuvendit partisë fituese serbe, prandaj Gjykata nuk ka çfarë të interpretoi përveç Kushtetuës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi të vazhdoj ose do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Konjufca para disa javësh.

Ndryshe pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese nxori edhe vendimin e saj të tretë lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvend. Aty u theksua se parlamenti konstituohet vetëm atëherë kur zgjidhen pesë nënkryetarë. Po ashtu u kërkuar që të gjithë deputetët të votojnë. Përveç këtyre, në njoftim u cek edhe se deputetëve u kanë mbetur kohë edhe 12 ditë ta konstituojnë kuvendit, afat i cili fillon të rrjedhë pas publikimit të plotë të aktgjykimit.

Përveç këtyre, duhet theksuar se Kushtetuesja me njoftimin e fundit, hodhi poshtë qëndrimet e VV’së, nga ku thuhej se parlamenti është konstituar. /GazetaExpress