Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes ankesës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit ashpërsim të dënimit ndaj Orges Zhugollit, i dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen në Gllamnik të Podujevës. Ndërkaq, mbrojtja e të dënuarit propozoi anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e rastit në rigjykim.
Në këtë rast, i akuzuari Zhugolli ngarkohet se më 12 shtator 2023 në Gllamnik të Podujevës, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion, raporton “Betimi për Drejtësi”
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 qershor 2025, e kishte dënuar të akuzuarin Zhugolli me 20 vjet burgim.
Prokuroria permes ankesës drejtuar Gjykatës së Apelit, ka kërkuar që aktgjykimi i Themelores të ashpërsohet, si dhe të shpallet fajtor Zhugolli edhe për veprën e dytë (Armëmbajtje pa leje), për të cilën Themelorja e kishte liruar nga akuza.
Në seancën e Apelit, mbrojtësi i të akuzuarit Zhugolli, avokati Naim Rudari deklaroi se qëndrojnë pranë ankesës, duke vlerësuar se ky rast duhet të kthehet në rigjykim, me qëllim që të vërtetohet me saktësi se çfarë ka ndodhur.
Në fund të seancës, u bë e ditur se palët do ta pranojnë vendimin brenda afatit ligjor.
Në seancën e 27 majit 2025, Zhugolli u shpall fajtor për veprën penale të “Vrasjes”, ndërsa u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, për shkak se nuk është provuar se ka kryer veprën penale. Më pas, më 4 qershor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj Orges Zhugollit, duke e dënuar me 20 vjet burgim.
Ndërkaq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.