Gjatë një aktiviteti zgjedhor të mbajtur këtë vjeshtë në lagjen Kodra e Trimave, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kritikuar qeverisjet e kaluara për, siç tha ai, neglizhencën ndaj kësaj zone të Prishtinës.
Kjo deklaratë vjen pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka udhëhequr Komunën e Prishtinës për tetë vite radhazi – nga viti 2013 deri në 2021 – përmes dy mandateve të Shpend Ahmetit si kryetar komune.
Në përkrahje të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Prishtinës, Hajrulla Çeku, Kurti u zotua për një transformim të kryeqytetit që do të zhvillohet “me plan, jo me improvizime”.
“Sa herë që i ka ardhur radha Kodrës së Trimave, qeverisjet ia kanë kthyer shpinën. Kjo është padrejtësi, dhe kjo padrejtësi do të marrë fund këtë vjeshtë. Me Hajrulla Çekun kryetar, do të kemi një kryeqytet që zhvillohet me plan, jo me improvizime, për secilën lagje, secilin fshat”, deklaroi Kurti.