Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se po presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstitutimit të Kuvendit.
“Po e presim aktgjykimin”, ka thënë shkurt Kurti.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese me 30 shtator 2025 ka nxjerrë vendim me të cilin ka konstatuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat e moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe. Deputetët obligohen që ta përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 12 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Në vendimin e marrë më 30 shtator 2025, Kushtetuesja e shpalli të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Igor Simiqi dhe nëntë deputetë të tjerë, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me Kushtetutën.
“TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, deputetët urdhërohen që gjatë procedurës që zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga pakica serbe, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet më tej.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur që të vazhdojë masën e përkohshme deri në hyrjen e këtij aktgjykimi në fuqi.
“TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, njofton Kushtetuesja.