ASH, krahu i Arben Taravarit, ka reaguar në lidhje me brohoritjet kundër shqiptarëve nga tifozë maqedonas.
Nga atje njoftojnë se gjatë ndeshjes së hendbollit mes ekipeve të Vardarit dhe Pelisterit, të mbajtur në sallën “Jane Sandanski” në Shkup, grupi i tifozëve “Çkembari” shpërtheu me thirrje fyese dhe ofenduese ndaj shqiptarëve.
“Ky nuk është rasti i parë dhe, fatkeqësisht, nuk do të jetë as i fundit, përderisa institucionet heshtin dhe qeveria me VLEN-in në krye bën sikur nuk sheh. Në vend që të ndërmarrin hapa konkretë për ndëshkimin e autorëve që nxisin urrejtje ndëretnike, vasalët e Mickoskit merren me cirqe politike, siç ishte edhe skena e turpshme në sallën “Boris Trajkovski”, ku për ta mbushur sallën nuk mjaftuan as qindra kontrata të shpërndara në Çair e Tetovë.
VLEN edhe në këtë rast ka zgjedhur të mbyllë sytë. Për ta, më e rëndësishme është një fotografi me tifozët maqedonas dhe vota e antishqiptarit “Qesto”, sesa dinjiteti i shqiptarëve dhe mbrojtja e nënave e motrave tona që poshtërohen nëpër tribina sportive.
VLEN nuk ka as vullnet dhe as dëshirë për të ndalur hovin e narrativave antishqiptare nga ana e atyre që hapur deklarojnë në rrjetet sociale se do ta mbështesin këtë subjekt vetëm për të mposhtur opozitën shqiptare. Ky fenomen jo vetëm që ekspozon dobësinë e VLEN-it përballë presioneve politike dhe propagandës, por njëkohësisht e vendos atë në një pozitë të dyshimtë, ku mbështetja që merr nuk lidhet me programin e vet politik, por me qëllime që cenojnë unitetin dhe interesat e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e ASH-së.
tag_katrorimaqedoni_2