Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur sot një takim me gratë dhe vajzat e kryeqytetit, ku ka shpalosur zotimet e tij për një qeverisje lokale që garanton barazi gjinore dhe politika të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ai tha se barazia gjinore nuk është vetëm kauzë e grave por edhe e burrave: “Ajo që më jep shumë zemër është që edhe burrat kanë filluar ta kuptojnë se një qytet i padrejtë nuk zhvillohet, nuk merr frymë mirë dhe nuk ecën përpara. Nuk është qytet i mirë kur është i padrejtë ndaj grave. Prandaj, kauza ime është kauza juaj, dhe kauza juaj është kauza ime,” tha Ismaili.
Ai tha se në qeverisjen e tij do të zbatohet parimi 50/50 për përfaqësimin gjinor, duke thënë se kjo është një praktikë që e ka aplikuar edhe më herët. “Gjatë kohës time në Ministrinë e Shëndetësisë kam pasur 60% gra në kabinet dhe 40% burra. Ka qenë kabineti më i balancuar në energji, më produktivi dhe me më pak probleme,” kujtoi ai.
Në këtë takim, Ismaili u zotua për politika konkrete që synojnë barazi të plotë mes grave dhe burrave: buxhetim gjinor, më shumë çerdhe, hapësira për ndërmarrësi dhe mundësi të barabarta për gratë. “Qeverisja komunale që 25 vite nuk ka qenë e drejtë me 50% të popullsisë së vet, por tash është koha që këto padrejtësi të kthehen në mundësi për të gjitha gratë e Prishtinës,” tha ai.