Kryeministri Edi Rama dhe Zv.Kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishin të pranishëm në firmosjen e marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës
Në fjalën e tij, Rama u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në universitete.
“Në fund dua ta mbyll pikërisht me këtë ndryshim, që në çdo universitet ne të krijojmë sa më parë hapësirat për t’iu dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet, por edhe kuriozitetin e tyre intelektual për Inteligjencën Artificiale.
Mbi të gjitha, ajo çfarë e bën ekzaltuese AI-në, është se ka pak rëndësi në cilën pikë të globit ndodhesh, ose në cilin rresht të klasifikimit të vendeve ndodhet vendi ku ti jeton, pasi përmes Inteligjencës Artificiale, mund të bëhen kapërcime epokale, që mund të ishin të pamundura pavarësisht talenteve.
Në funksion të kësaj që thashë, ne do të përgatitemi që edhe në buxhetin e viteve të ardhshme, të kemi një komponent që të mbështetemi për çdo sprovë. I bëj thirrje pedagogëve dhe studentëve që të punojmë së bashku për rritjen e komponentit të Inteligjencës Artificiale në universitetet tona”, tha Rama.