Barcelona është duke kaluar një nga periudhat më të vështira në vite për sa i përket pozitës së portierit. Klubi katalanas e nis sezonin 2025/26 në kushte jo të zakonshme: kundër PSG-së në ndeshjen e parë të madhe të sezonit, Hansi Flick do të ketë në dispozicion Szczesny-n si titullar, ndërsa Kochen dhe Eder Aller shihen vetëm si alternativa.
Situata u komplikua edhe më tej pas dëmtimit të Joan Garcias, portieri i ri për të cilin Barcelona pagoi rreth 30 milionë euro te Espanyoli dhe që konsiderohej si projekti i së ardhmes. Nga ana tjetër, Marc-André ter Stegen, që ka mbrojtur portën e Barcelonës për mbi një dekadë, është jashtë fushave pas një vere të tensionuar me klubin, duke e kthyer çështjen në një konflikt të hapur.
Deklaratat e drejtorit sportiv Deco dhe të trajnerit Flick ishin të qarta: Barça e shihte Joan Garcian si të ardhmen, jo më Ter Stegen. Por gjermani refuzoi të largohej, duke hyrë në një betejë të gjatë që përfundoi me një operacion tjetër në shpinë dhe me ndërhyrjen e komisionit mjekësor të La Ligës. Klubi madje hapi edhe një procedurë disiplinore, të cilën e tërhoqi vetëm pasi Ter Stegen pranoi që raporti mjekësor i ndërhyrjes kirurgjikale të dorëzohej zyrtarisht.
Situata solli pasoja të drejtpërdrejta: Ter Stegen humbi përkohësisht edhe shiritin e kapitenit, ndërsa Barça u detyrua të improvizonte në listën e portierëve për shkak të kufizimeve financiare dhe tepricës së pagave.
Në një intervistë për Sport Bild, Hansi Flick pranoi se menaxhimi i rastit nuk ishte bërë në mënyrën e duhur. “A është komunikuar gjithçka në mënyrën më të mirë? Mendoj se ka shumë për t’u përmirësuar, madje edhe nga ana ime”, deklaroi gjermani, duke marrë pjesërisht mbi vete përgjegjësinë për këtë krizë.
Megjithatë, trajneri gjerman mbrojti projektin e klubit me Joan Garcian. “Me Joan kemi një portier shumë të ri dhe me talent të madh, që tashmë po luan në nivel të lartë. Të gjithë së bashku vendosëm që ai të jetë e ardhmja e Barcelonës, kështu që qasja jonë ishte e qartë”, u shpreh Flick.
Konflikti mes Barcelonës dhe Ter Stegen solli një krizë që zgjati me muaj dhe ndikoi drejtpërdrejt në përgatitjet e skuadrës. Megjithatë, Flick tani sheh përpara me optimizëm: “Është e rëndësishme që Marc dhe klubi t’i afrohen njëri-tjetrit dhe të kenë një komunikim të sinqertë. Ai është një portier i nivelit të lartë dhe do të ketë gjithë mbështetjen tonë që të rikthehet në formën më të mirë”.
Barcelona, e cila ndërkohë po përpiqet të stabilizohet financiarisht dhe sportivisht, shpreson që kthimi i Ter Stegen dhe rikuperimi i Joan Garcias të sjellin qetësi në një repart që prej kohësh është burim shqetësimi.