Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, po kërkon përkrahjen e shteteve anëtare për ndryshimin e rregullave të vendimmarrjes në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Ai aktualisht po zhvillon atë që e quan “ofensivë diplomatike” në kryeqendrat evropiane, me synimin për të dalë nga ngërçi i krijuar rreth perspektivës evropiane të shteteve aspirante.
Çështja e zgjerimit të BE-së do të trajtohet edhe në samitin joformal që mbahet në Kopenhagë të Danimarkës.
Sipas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim do të bëhej me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimitetit, siç e parashohin rregullat aktuale. Ndërkohë, mbyllja e kapitujve – sipas propozimit të Costas – do të kërkonte, ashtu si tani, pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.
Në këtë mënyrë do të zhbllokoheshin shumë procese të nisjes së negociatave, siç është rasti i Ukrainës dhe Moldavisë, që aktualisht bllokohen nga Hungaria, si dhe i Maqedonisë së Veriut, që mbetet peng i Bullgarisë.
Sipas burimeve diplomatike, Antonio Costa po e diskuton këtë ide drejtpërsëdrejti me liderët evropianë. Zyrtarë pranë kabinetit të tij theksojnë se zgjerimi është një nga prioritetet kryesore të presidentit të Këshillit Evropian, sepse ai e sheh atë si investimin më të rëndësishëm gjeopolitik që BE-ja mund të bëjë. /RTK/