Takimi i presidentit të Argjentinës, Javier Milei, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e shkuar gjatë vizitës në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka nxitur kritika në shtetit e Amerikës Latine, që s’e njeh shtetin e Kosovës.
“Kosova: Milei hap front të ri diplomatik që dobëson kauzën Malvinas” është titulli i mediumit “agendamalvinas”, që kryesisht shkruan pro Argjentinës në çështjen Malvinas, apo siç njihet në zona të tjera ishujve Falkland, dhe e kritikon pushtetin për “lëshim të sovranitetit” të ishujve ndaj Britanisë dhe aleatëve, shkruan Koha.
Sipas këtij shkrimi, është hera e parë që një takim në nivel kaq të lartë ndodh. Aty është shkruar tutje se analistët dhe figurat opozitare e konsiderojnë ngjarjen si “turpërim diplomatik” që e cenon pozicionin historik të Argjentinës në ishujt Falkland.
“Për diplomacinë argjentinase, njohja e Kosovës do të ishte precedent i rrezikshëm që do të shkelte parimin e integritetit territorial – të njëjtin parim të cilin Argjentina e përdor për të ruajtur sovranitetin mbi ishujt Malvina. Respektimi i integritetit territorial të Serbisë forcon qëndrimin e saj mbi Malvinet. Prandaj, Argjentina nuk e njeh as Krimenë si ruse apo Tajvanin si të pavarur”, ka shkruar ky medium.
Fotografia në shkrim është interpretuar si gjest që “de facto mbështet parimin e vetëvendosjes mbi integritetin territorial, duke dobësuar argumentin qendror të Argjentinës ndaj Mbretërisë së Bashkuar”.
Ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme të Argjentinës, i ngarkuar me punë për ishujt Malvine, Guillermo Carmona, e ka cilësuar duarshtrëngimin Milei-Osmani si “çështje shumë serioze”.
“Është ekstremisht serioze që Milei ia ka lejuar vetes të jetë (ndoshta edhe të takohet) me dikë që pretendon se është president i një entiteti të cilin Argjentina nuk e njeh si shtet, duke rënë në kontradiktë me qëndrimin tonë karshi integritetit territorial në Malvine”, ka shkruar ai në X.
Artikulli ka përmendur edhe dërgimin e trupave ushtarake të Kosovës vite më parë në ishujt Falkland në kuadër të marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar.
Aty tutje është thënë se disa burime në Ministrinë e Jashtme kanë thënë se incidenti nuk është diçka e madhe apo nuk përfaqëson shkelje të protokollit të përfaqësimit argjentinas në OKB. Ndërsa ka pasur fjalë edhe se vendimi ka qenë “për të kënaqur Donald Trumpin”.