Indikacionet e deputetit dhe shefi të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN, Adnan Azizi se dikush po tenton të nxisë tensione ndëretnike duke sulmuar objekte fetare nuk janë denoncuar as në polici e as në prokurori. Këto akuza ai i bëri para fushatës, por përveç debatit brenda-shqiptar që nxiti, në drejtim të zbardhjes së rastit nuk ka ndërmarrë . MPB dhe prokuroria për Portalb.mk vërtetojnë se këto akuza që janë plasuar në publik nuk janë denoncuar nga asnjë qytetar ose institucion kurse deputetët shqiptar opozitar e kanë akuzuar deputetin Azizi se po nxit tensione në mes shqiptarëve.
“Indikacionet flasin që edhe ata fëmijë që u rrahën që janë nga komuna juaj, ishin të paguar nga njerëzit e BDI-së të organizuar me “Vojvodat” vetëm e vetëm për të diskredituar pushtetin dhe nuk zgjedhin mekanizëm për të ardhur në pushtet. Kemi informacione të sakta se nga një shtet fqinj, kanë paguar dy grupe për të djegur edhe xhaminë në Kodrën e Diellit”, tha deputeti Azizi.
Të njëjtën pas tij e kishte konfirmuar edhe i pari i komunës së Tetovës Bilall Kasami. Sipas tij, ka informacione se në territorin e Maqedonisë, veçanërisht në pjesën shqiptare, me theks të veçantë në Tetovë, në vazhdimësi ka tendenca për të krijuar tensione ndëretnike.
“Informacionet që kemi janë jo vetëm nga njerëzit tanë në terren, por edhe nga burime të brendshme dhe nga vendet fqinje. Edhe konflikti i fundit ka pasur indikacione se është nxitur nga elementë të tillë. Gjithashtu, sa i përket ngjarjes në Kodrën e Diellit, për të cilën kishim informata paraprake, institucionet e sigurisë janë informuar dhe janë duke ndjekur me kujdes çdo hap në këtë drejtim. Janë dhënë sugjerime dhe udhëzime drejtuar institucioneve që çdo 24 orë të përcillet situata dhe të mos tolerohet që, në periudhën parazgjedhore, elementë të caktuar të krijojnë konflikte ndëretnike për qëllime politike”, theksoi Kasami.
“Ju informojmë se në Sektorin e Punëve të Brendshme Tetovë, deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim të tillë nga ndonjë qytetar ose institucion, as personi i treguar nuk ka paraqitur detaje ose prova në SPB Tetovë”, thanë në përgjigjen e tyre për Portalb nga zyra për komunikim e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Sipas informacioneve të marra nga mediat, përkatësisht pas një informacioni, SPB Tetovë po i kontrollon ato dhe po merr masa përkatëse. Nëse konfirmohen, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike Tetovë, do të ndërmerren masa dhe aktivitete përkatëse për të parandaluar ngjarje të tilla në kohën e duhur”, thuhet tutje në njoftimin e MPB.
Nga prokuroria thonë se nuk i komentojnë akuzat në kohë fushatë zgjedhore. Por që as aty nuk është dorëzuar ndonjë kallëzim.
tag_katrorimaqedoni_2