James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, po pyetet nga prokurorët në Gjykatën Speciale në Hagë lidhur me njohurit e tij për aktivitetet dhe mënyrën e funksionimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ai po dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së.
Ai u pyet nëse kishte pasur dijeni që UÇK-ja kishte nisur një sulm të sinkronizuar me granatahedhës ndaj stacioneve policore serbe në shtator të vitit 1997.
“Po përpiqem të kuptoj ku kam qenë në atë kohë, mund të kem pasur dijeni”, tha fillimisht ai.
Covey mohoi kur u pyet nëse e dinte se kush i kishte sjellë ata granatahedhës në Kosovë një muaj para sulmeve.
Një prokurore shfaqi një pjesë nga një intervistë e Rexhep Selimit, të vitit 2003, duke cituar pjesë nga ajo.
Selimi, siç citoi prokurorja, kishte thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin sjellë mortaja të dorës në Jabllanicë në gusht të ’97-s.
“Kishim 11 të tilla, tre erdhën në forma të tjera. Më pas kemi pasur 14 për t’i përgatitur për veprime me 11 shtator të vitit 1997. Deri atëherë nuk i kemi përdorur asnjë prej tyre, pavarësisht se kishim nevojë. Kjo u bë me qëllim që Serbia të mos merrte masa sepse kjo llogaritej armë e madhe dhe donim ta zinim në befasi, sikur edhe e bëmë. Patëm 14 mortaja dhe bëmë 14 sulme. Po t’i kishim 20, do t’i sulmonim 20”, u citua të kishte thënë Selimi në atë intervistë.
Covey tha se s’i kujtohej ajo ngjarje.
Me kërkesë të prokurorëve, dokumenti u pranua si provë, meqenëse, sipas tyre, shërbente në demantimin e një deklarate të Coveyt se Thaçi nuk kishte qenë ushtarak.
Covey tha se nuk kishte dijeni as se kush ishin themeluesit e UÇK-së dhe as për rolin e LPK-së në themelimin e kësaj ushtrie guerile.
|Nuk mund të them që kisha dijeni. Jo”, tha ai.