Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për vdekjen e një të riu shqiptar në anijen britanike “Bibby Stockholm” të përshtatur për mbajtjen e emigrantëve të paligjshëm. Sipas një hetimi të cituar nga “The Independent” ai nuk kishte ngritur ndonjë ankesë ose shqetësim në lidhje me kushtet në bord.
Leonard Farruku u gjet i pavetëdijshëm në një kabinë dushi në bordin e anijes të ankoruar në Portland Port, Dorset, më 12 dhjetor 2023.
Një hetim i autoriteteve në Bournemouth kreu një ekzaminim pas vdekjes dhe zbuloi se 27-vjeçari vdiq si rezultat i shtrëngimit në qafë.
Motrat e tij, Marsida Keci dhe Jola Dushku, kanë vënë në dyshim se si vëllai i tyre, i cili sipas tyre kishte probleme me shëndetin mendor që nga vdekja e prindërve, u lejua të transferohej në anijen “Bibby Stockholm”.
Mjeku ligjor Rachael Griffin deklaroi: “Nuk ka prova që Leonardi ishte subjekt i racizmit ose akteve të papërshtatshme dhe nuk ka prova që ai ndonjëherë ngriti ndonjë ankesë ose shqetësim në lidhje me kushtet në barkë tek ata në barkë ose tek dikush tjetër, gjë që është mjaft në kontrast me atë që ndodhi.”
Emigranti Yusuf Kargbo, i cili mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar në korrik 2022, i tha seancës dëgjimore se ishte transferuar në anijen “Bibby Stockholm” në nëntor 2023, ku u vendos në një dhomë me Farrukun dhe shtoi se “gjithçka ishte përmbys” kur mbërriti në dhomë.
Ai tha se i riu shqiptar ishte një “person i qetë” dhe shtoi: “Ai vetëm buzëqeshte dhe merrej me punët e tij.” Kargbo shtoi se nuk e dinte emrin e Farrukut dhe dinte vetëm se ishte nga Shqipëria.
Ai tha se Farruku nuk kishte miq në barkë dhe ulej në sallën e ngrënies duke parë telefonin e tij, dhe shtoi se qeshte gjithashtu me videot në shtrati ku vendoste një çarçaf për t’i dhënë pak privatësi vetes.
Kargbo tha se nuk kishte parë ndonjë sjellje të pazakontë nga Farruku dhe shtoi: “Nuk kam pasur kurrë ndonjë shqetësim për të sepse ai gjithmonë kishte këtë fytyrë të qeshur.”
Ai shtoi se nuk e kishte parë Farrukun duke goditur muret e dhomës së tyre ose duke shfaqur ndonjë “sjellje tjetër të keqe”. Ai tha se më 11 dhjetor, Farruku u kthye në dhomë rreth orës 6 pasdite dhe më pas shkoi në dush.
Kargbo tha se nuk e pa më atë mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes, kur u zgjua dhe zbuloi se Farruku nuk kishte fjetur në shtratin e tij ndaj dhe ngriti alarmin me stafin e sigurisë.
Hetimi zbuloi se rojet e sigurisë e gjetën emigrantin shqiptar në dush dhe u përpoqën pa sukses t’i jepnin ndihmën e parë. Levana Coker, e cila punonte si stjuardesë në “Bibby Stockholm”, i tha seancës dëgjimore se ishte këshilluar në mënyrë joformale të “qëndronte larg” një banori që po sillej në mënyrë të pazakontë.
“Menaxherja jonë tha se kishte një person që po sillej çuditshëm dhe në mënyrë të pazakontë. Ai qeshte dhe qante, ecte përreth, fliste me vete dhe ne të gjithë duhet të qëndrojmë larg” – tha ajo. Coker shtoi se personi nuk ishte identifikuar dhe shtoi se ajo kishte “supozuar” menaxherja se i referohej Farrukut pas vdekjes së tij.
Isabella Basstone, një recepsioniste në “Bibby Stockholm” i shërbeu Farrukut kur ai mbërriti në barkë. “Mbaj mend që ai ishte shumë i qeshur dhe dukej shumë i gjallë dhe i ëmbël. Më kujtohet vetëm që ishte shumë miqësor dhe i lumtur” – tha ajo.
Në seancë u tha se Superintendenti Detektiv Neil Wright, i Policisë së Dorset, kishte qenë përgjegjës për hetimin policor për vdekjen e Farrukut dhe kishte zbuluar se nuk kishte “asnjë provë të përfshirjes së një pale të tretë” në vdekjen e tij.
Hetimi ka zbukloi se Farruku ishte akomoduar më parë në Hotelin Esplanade në Paignton, Devon, dhe filloi të tregonte sjellje agresive në korrik 2023. Ai ishte “i shqetësuar” kur u informua se po transferohej në “Bibby Stockholm” në nëntor 2023.
Dëshmitari Ashley Rangasamy deklaroi se i ishte thënë se Abhijith Jayaseelan, mbikëqyrësi i hotelit në Esplanade, e kishte“mashtruar” Farrukun duke i thënë se nuk do të shkonte në Bibby Stockholm, por në Swindon.
Ndërsa mjeku Griffin tha se Jayaseelan e kishte mohuar ndërmarrjen e këtij veprimi dhe kishte thënë se nuk punonte në hotel në ditën e transferimit të tij. /Lapsi.al