Miliona njerëz që zotërojnë një sobë me dru (në Kosovë janë shumë të përhapura) mund të jenë shqetësuar këtë javë nga një studim i ri që sugjeron se këto pajisje të ngrohta mund të dëmtojnë mushkëritë në një mënyrë të ngjashme me tymosjen e cigareve.
Studimi, i paraqitur në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Mushkërive në Amsterdam, ndoqi mijëra njerëz për tetë vjet dhe zbuloi se ata që përdornin soba humbnin kapacitetin e mushkërive më shpejt sesa ata që nuk i përdornin.
Gjetjet vijnë mes thirrjeve të aktivistëve për ajër të pastër që kërkojnë ndalimin e sobave në zonat urbane, duke cituar të dhëna të mëhershme qeveritare që sugjeronin se djegia shtëpiake prodhonte më shumë emisione të dëmshme se trafiku.
Megjithatë, një raport i këtij viti nga Departamenti për Mjedisin, Ushqimin & Çështjet Rurale (DEFRA) tregon se situata ka ndryshuar – emisionet nga djegia shtëpiake tani janë më të ulëta krahasuar me ato nga trafiku.
Që nga viti 2021, familjet që jetojnë në Zonat e Kontrollit të Tymit, të cilat mbulojnë shumicën e qyteteve të mëdha, janë të detyruara ligjërisht të përdorin vetëm lëndë djegëse të miratuara dhe soba me emision të ulët. Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba deri në 1,000 £, megjithëse vitin e kaluar në Angli u dhanë vetëm katër gjoba pavarësisht mbi 5,000 ankesave.
Me rreth dy milionë familje në Mbretërinë e Bashkuar që përdorin soba me dru, studimi ngre një pyetje të qartë: Sa të rrezikshme janë ato – dhe çfarë mund të bëni për të mbrojtur familjen tuaj?
Këtu, ekspertët – përfshirë Shoqatën e Industrisë së Sobave (SIA) – ndajnë çfarë duhet të dijë çdo përdorues:
Përmirësoni ose përshtatni sobat e vjetra
Erica Malkin, nga SIA, thotë se shumë nga emisionet më të dëmshme nuk vijnë nga modelet moderne të mbyllura, por nga oxhakët e hapur dhe sobat e vjetra.
Duke komentuar analizën e University College London, e cila sugjeroi se sobat mund të dëmtojnë mushkëritë si tymi i cigareve, ajo tha:
“Studimi nuk bëri dallim mes oxhakëve të hapur, pajisjeve të vjetra dhe sobave moderne të mbyllura, të cilat kanë profile emisioni dhe sjellje shumë të ndryshme në ajrin e dhomës.”
Me fjalë të tjera, gjetjet mund të ekzagjerojnë rreziqet për familjet që përdorin pajisje më të reja.
Rregullat e qeverisë kërkojnë që të gjitha sobat e shitura që nga janari 2022 të jenë në përputhje me Ecodesign, që do të thotë se ato duhet të përmbushin kufizime të rrepta mbi sasinë e tymit dhe grimcave që lëshojnë.
Sovat moderne janë të projektuara si sisteme të mbyllura, duke çuar emisionet përmes oxhakut në vend që të lëshohen në dhomë, dhe testohen në laborator sipas standardeve të rrepta.
SIA gjithashtu thekson skemën e certifikimit clearSkies, e cila e bën më të lehtë për konsumatorët të identifikojnë sobat më të pastra dhe më efikase në treg.
Përdorni lëndën djegëse të duhur
Jo të gjitha drutë janë të njëjta. Që nga maji 2021, sipas skemës qeveritare Ready to Burn, drutë e shitura në sasi të vogla duhet të kenë një përmbajtje lagështie prej 20 për qind ose më pak. Djegia e druve të lagura ose “të gjelbra” prodhon më shumë tym dhe grimca të dëmshme, ndërsa drutë e tharë digjen më pastër.
Të njëjtat rregulla ndaluan gjithashtu shitjen e qymyrit tradicional shtëpiak dhe kërkojnë që lëndët djegëse të ngurta të prodhuara të jenë me përmbajtje të ulët squfuri dhe të certifikuara si me tym të pakët.
Ngarkesat e mëdha me dru të lagur mund të shiten ende, por vetëm nëse furnizuesit japin udhëzime për tharjen e tyre para përdorimit.
Malkin këshillon:
“Blini vetëm dru të certifikuar Ready to Burn, me më pak ose të barabartë me 20 për qind lagështi, dhe mos digjni kurrë mbeturina apo dru të trajtuar.”
Digjni me kujdes
Mënyra se si e përdorni sobën ka rëndësi. Studimi i mbështetur nga DEFRA gjeti se hapja e derës shumë shpejt gjatë rifurnizimit, për shembull, mund të lëshojë një re grimcash në dhomë.
Malkin tha:
“Rifurnizoni me kujdes: lëreni ngarkesën të digjet deri në prush, hapeni derën ngadalë dhe pak nga pak për të barazuar presionin dhe pastaj shtoni dru të tjerë.”
Shoqata e Karburanteve të Ngurta paralajmëron gjithashtu se lënia e sobës të tymosë pa flakë prodhon më shumë tym dhe grimca sesa mbajtja e një flake të fortë, dhe rrit rrezikun e monoksidit të karbonit.
Në vend të kësaj, ekspertët këshillojnë të lini zjarrin të fiket natyrshëm me ventila të hapura pak – mungesa e ajrit e bën atë të tymosë më shumë, duke prodhuar më shumë ndotje.
Mbajeni të pastër
Chimney Sweep Academy rekomandon pastrimin të paktën një herë në vit – më shpesh nëse e përdorni sobën çdo ditë gjatë dimrit.
Një oxhak i bllokuar ose i ndotur mund të shkaktojë dalje të tymit brenda dhe të rrisë rrezikun e monoksidit të karbonit.
Shërbimi i rregullt nga një teknik i aprovuar siguron që soba të jetë e mbyllur mirë dhe të digjet në mënyrë efikase.
Ajroseni mirë
Public Health England, në udhëzimet për ndotjen e ajrit të brendshëm, rekomandon përmirësimin e ventilimit sa herë që është e mundur – edhe hapja e një dritareje gjatë përdorimit të sobës mund të zvogëlojë grumbullimin e grimcave në dhomë.
Shmangni “mbinxehjen” – djegien e sobës shumë nxehtë – që mund të dëmtojë vulat dhe të lëshojë më shumë tym në dhomë.
Njihni rregullat
Në shumë qytete dhe qyteza, familjet janë në zona të caktuara si Smoke Control Areas.
Rregullat e DEFRA-së nënkuptojnë se vetëm disa lloje sobash dhe lëndësh djegëse mund të përdoren ligjërisht në këto zona, me gjoba për mosrespektim.
Malkin shtoi:
“Sovat moderne me dru funksionojnë shumë mirë krah sistemeve jo-djegëse si pompat e nxehtësisë, duke ofruar ngrohje të besueshme të dhomës gjatë të ftohtit ekstrem ose kur kostot e energjisë elektrike janë të larta.”
Sipas shifrave të industrisë, përmirësimi nga një oxhak i hapur në një sobë moderne të mbyllur mund të ulë emisionet e dëmshme deri në 90 për qind. /GazetaExpress/