Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën drejtimin e Igli Hasanit, opozita ka kërkuar debat dhe transparencë mbi politikën e jashtme të vendit.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, kërkoi që ministrja e re e Jashtme, Elisa Spiropali, të raportojë para komisionit për vizionin e Shqipërisë, vizitën e saj në OKB dhe mungesën e kryeministrit Rama në Asamblenë e Përgjithshme.
Kapri theksoi nevojën për një debat të thelluar mbi rrugëtimin drejt BE-së dhe kritikoi qasjen e deritanishme të qeverisë. Ai kërkoi gjithashtu sqarime mbi qëndrimin e Shqipërisë për zhvillimet në Kosovë.
Kryetari i komisionit, Igli Hasani, reagoi duke theksuar se kërkesa për prezencën e ministres duhet të bëhet me shkrim dhe mohoi pretendimet për mungesë vizioni në politikën e jashtme, duke theksuar se Shqipëria ka një doktrinë të qartë dhe të qëndrueshme.
Ndërkohë, deputeti Tritan Shehu kërkoi që Shqipëria të shprehë solidaritet me planin e propozuar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump për paqe në Lindjen e Mesme, duke i bërë thirrje qeverisë të mbështesë nismën 20-pikëshe.
Diskutimet
Erald Kapri: Nuk është e nevojshme për të theksuar rëndësinë që ka ky komision veçanërisht për këtë legjislaturë që ka të bëjë me ëndrrën e madhe të shqiptarëve për tu anëtarësuar në BE. Kemi humbur shumë stacione dhe uroj që të ketë një dëshirë të sinqertë për të punuar sepse anëtarësimi është kompleks. Nuk ka nisur mbarë. Seancat e para të parlamentit nuk tregojnë për mirëkuptim që të ketë një angazhim maksimal. Kemi nevojë për një debat thelbësor që kanë të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë ne BE sepse nuk është thjesht një anëtarësim politik. Nuk mund të ketë pjesëmarrje në BE pa i dhënë fjalën e mbi të gjitha rëndësi opozitës.
Kam një propozim, është e rëndësishme që ministrja e re e Jashtme të paraqitet në komision të raportojë për vizionin e Shqipërisë, për vizitën e saj në OKB, të raportojë për mungesën e kryeministrit në OKB dhe të na qartësoje për qasjen e Shqipërisë në raport me zhvillimet e reja në Kosovë.
Jemi në një moment tepër të vështirë në politikën tonë të jashtme dhe nuk kemi asnjë prononcim për këtë çështje. Nuk po kërkoj një doktrinë se nuk e kemi pasur asnjëherë, por po kërkon që ministrja e jashtme të na qartësojë në raport me këto tema.
Igli Hasani: Janë shumë gjëra që do doja t’i saktësojmë, kërkesa për të pasur ministren duhet të bëhet me shkrim. Nuk bie dakord me asnjë nga ato që thatë dhe nuk duhet ta përdorim këtë platformë për të dezinformuar. Po të ishit pak më i vëmendshëm do të kuptonit që tradicionalisht një vit ka shkruar presidenti, një vit kryeministri. Këtë vit ka qenë radha e presidentit. Jo vetëm që ka një doktrinë të politikës së jashtme që ka filluar kohë më parë, por Kosova nuk ka qenë asnjëherë në pyetje për sa i përket asaj që ka ndodhur.
Tritan Shehu: Duhet të jemi solidar me iniciativën e Trump. Plani 20 pikësh që mund të sjellë paqe në Lindjen e Mesme. Këtë mund t’ia kërkojmë edhe qeverisë shqiptare.