Barcelona ka kërkuar leje të veçantë nga UEFA për të thyer një rregull të Ligës së Kampionëve para ndeshjes së tyre të ardhshme kundër PSG-së.
Barcelona do të përballet me kampionët në fuqi të PSG-së të mërkurën, në një nga sfidat më të veçuara të fazës së ligës.
Të dy klubet e nisën fushatën evropiane me fitore, me Barcelonën që mposhti Newcastlen 2-1 në transfertë falë dy golave të Marcus Rashfordit, ndërsa PSG-ja mposhti Atalantën 4-0 në Paris.
Ndeshja e së mërkurës do të zhvillohet në “Montjuïc”, në vend të “Camp Nou”, pasi stadiumi kryesor i klubit është ende në rinovim.
Kampionët e La Ligas kishin shpresuar të prisnin Real Sociedadin në “Camp Nou” të dielën me një kapacitet të reduktuar prej 27,000 vendesh – me rinovimin e plotë të stadiumit që pritet të përfundojë deri në vitin 2027.
Megjithatë, ndeshja u zhvillua në stadiumin olimpik me 55,000 ulëse në kodrën Montjuïc, pasi këshilli bashkiak i qytetit të Barcelonës refuzoi kërkesën e klubit për një leje të domosdoshme.
Si pasojë, edhe ndeshja kundër PSG-së do të zhvillohet në Montjuïc – gjë që krijon një problem të mundshëm për klubin katalanas në Evropë.
Rregullat e UEFA-s përcaktojnë që një klub nuk mund t’i zhvillojë ndeshjet e shtëpisë në fazën e ligës në më shumë se një stadium, duke e pamundësuar kështu një rikthim te “Camp Nou” këtë vit.
Neni 25 i rregullores së UEFA-s thotë: “Që nga faza e ligës, një klub duhet, në parim, t’i luajë të gjitha ndeshjet e tij në këtë garë në të njëjtin stadium. Për më tepër, çdo ndryshim stadiumi mes play-off-eve dhe fazës së ligës duhet të miratohet paraprakisht nga UEFA.”
Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Barcelona ka paraqitur një kërkesë te UEFA për leje të veçantë për të thyer këtë rregull, me shpresën që të rikthehet te “Camp Nou” pas pushimit ndërkombëtar, i cili nis të hënën.
Ndeshja e radhës e Barcelonës në Ligën e Kampionëve pas përballjes me PSG-në është kundër skuadrës greke Olympiacos më 21 tetor.
Tre ditë më parë, Barça përballet me rivalët lokalë të Gironës në La Liga, dhe ndonëse nuk është konfirmuar ende një stadium, këshilli bashkiak ka shprehur besimin se kjo ndeshje mund të zhvillohet në “Camp Nou”.
Albert Batlle, nënkryetari i bashkisë së Barcelonës për sigurinë, tha: “Shpresojmë që të bëhen përshtatjet e nevojshme dhe që, nga aspekti i sigurisë, të jepet miratimi për rihapjen e pjesshme të ‘Camp Nou’. Mendoj se çështjet e vogla që ekzistonin mund të zgjidhen.”
Punimet në “Camp Nou” filluan për herë të parë në qershor 2023, me një kosto prej rreth 1.1 miliard £.
Kapaciteti i përgjithshëm i stadiumit pritet të rritet në 105,000, duke e bërë atë një nga stadiumet më të mëdha në botë dhe bindshëm më të madhin në Evropë.
Plani fillestar ishte që aty të riktheheshin ndeshjet deri në nëntor 2024, për të përkuar me 125-vjetorin e klubit.
Megjithatë, vonesat e njëpasnjëshme bënë që ky objektiv të mos arrihej, dhe rinovimi përfundimtar pritet të mbyllet në verën e vitit 2027./GazetaExpress/