Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë, ku mbajti një fjalë të veçantë për të diplomuarit, pedagogët dhe familjarët e tyre.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit shprehu emocionin personal si mjek në profesion, duke theksuar se diplomimi është një pikënisje e rëndësishme dhe një mision i madh shoqëror.
“Ju ndodheni sot në një pikënisje me pasionin dhe ëndrrat që do t’ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës, por mbi të gjitha me ndjenjën e madhe të misionit që frymëzon rruga që keni zgjedhur”, u shpreh Presidenti.
Ai vlerësoi traditën dhe cilësinë e Universitetit të Mjekësisë, duke theksuar rolin e tij në përgatitjen e brezave të mjekëve që kanë ruajtur dinjitetin e profesionit edhe përballë sfidave të sistemit shëndetësor.
Begaj theksoi se mjekësia është një profesion i pazakontë, që kërkon dije të vazhdueshme dhe humanizëm.
“Të jesh mjek do të thotë të përballesh çdo ditë me vuajtjen, por edhe me shpresën, të ushtruar një shkencë të fortë, por edhe një art të thellë human”, tha ai.
Duke iu drejtuar të sapodiplomuarve, Presidenti i ftoi ata të zgjedhin Shqipërinë për të ushtruar profesionin e tyre.
“Vendi ynë ka nevojë për ju. Pranojeni këtë si mision dhe sfidë, si dhe ndërtoni këtu jetën tuaj profesionale, pranë njerëzve tuaj”, deklaroi Begaj.
Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje për pedagogët e universitetit, duke i cilësuar si themelues të profesionistëve dhe qytetarëve me etikë e përgjegjësi.
Sipas tij, investimi më i madh që mund të bëhet në shëndetësi është tek formimi, kërkimi shkencor dhe mbështetja e profesionit të mjekut.
Presidenti Begaj përmbylli fjalën me urimin që të diplomuarit të mbeten gjithmonë të denjë për misionin e tyre dhe të respektojnë Betimin e Hipokratit. “Të jesh mjek nuk është vetëm një profesion. Të jesh mjek është një mision”, tha ai.