“Nga Arkivi: Të Fala Shoqërore” në Galerinë Kombëtare - Gazeta Express
string(50) "nga-arkivi-te-fala-shoqerore-ne-galerine-kombetare"

Arte

Gazeta Express

30/09/2025 16:06

“Nga Arkivi: Të Fala Shoqërore” në Galerinë Kombëtare

Arte

Gazeta Express

30/09/2025 16:06

Galeria Kombëtare e Kosovës – Qafa, fton në hapjen e ekspozitës “Nga Arkivi: Të Fala Shoqërore”, kuruar nga Hana Halilaj, me datën 2 tetor, në ora 19:00.

Duke rivizituar momente që ndikuan në formimin e institucionit, kjo ekspozitë fokusohet në dekadën e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës (1979–1989) përmes arkivit të letrave, kërkesave dhe dokumenteve zyrtare. Këto fragmente shfaqin aspiratat e një institucioni të ri krahas negociatave burokratike dhe kufizimeve strukturore me të cilat ballafqohej.

Korrespondencat, duke filluar nga kërkesat për bashkëpunime dhe fjalimet e hapjeve, e deri te shkëmbimet me artistë dhe autoritete shtetërore, tregojnë se si galeria u pozicionua në mes të urgjencave lokale dhe qarqeve kulturore ndërkombëtare përgjatë ndryshimit të kontekstit politik në Jugosllavi.

Këto materiale shoqërohen nga katalogë të së njëjtës periudhë, të përzgjedhur në bashkëpunim me themeluesit e REDO Prishtina, Nita Salihu Hoxha dhe Bardhi Haliti, të cilët ilustrojnë gjuhën vizuale dhe estetikën e dizajnit grafik të kohës. Ato mishërojnë shtrirjen kulturore të GKK-së dhe impulset moderniste të dekadës përmes tipografisë, faqosjes dhe dizajnit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 30 nëntor, 2025.