Gjykata Kushtetuese: Kuvendi s'është konstituuar - Gazeta Express
string(46) "gjykata-kushtetuese-kuvendi-seshte-konstituuar"

Lajme

Gazeta Express

30/09/2025 15:49

Gjykata Kushtetuese: Kuvendi s’është konstituuar

Lajme

Gazeta Express

30/09/2025 15:49

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se seanca konstituuive e Kuvendit nuk ka përfunduar, siç e ka shpallur Lëvizja Vetëvendosje përmes kryetarit të zgjedhur, Dimal Basha.

Kushtetuesja, siç bëri të ditur në një njoftim të publikuar sot, ka urdhëruar që seanca konstiuuive e Kuvendit të përfundojë 12 ditë prej hyrjes në fuqi të aktgjykimit.

Ajo i ka urdhëruar deputetët që “gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur: TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme; TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;  TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]  dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet tutje në njoftimin e Kushtetueses.

Gjykata vendosi gjithashtu ta vazhdojë masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5  shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.