Me kërkesën e vetme për lirimin nga paraburgimi në Serbi për ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale, Arbnor Spahiu, të martën do të protestohet në Prishtinë.
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë dhe akuzohet nga autoritetet serbe për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Bashkëshortja e ish-policit, Arjeta Spahiu, tha se shpresat i kanë të vogla për lirimin e tij.
“Gjendja e tij është stabile, por sigurisht shumë e vështirë për të dhe për ne si familje. E kam vizituar sipas mundësive dhe rregullave të vendosura, sepse unë jam e vetmja që lejohem ta shoh. Kam pasur kontakte të vazhdueshme me ambasadorin Jetishi dhe Farukun nga Berlini, mirëpo për fat të keq deri tani nuk kemi parë ndonjë veprim konkret që të na japë shpresë reale”, ka thënë Spahiu.
E kritika ndaj institucioneve të Kosovës dha familjarja e Arbnor Spahiut, Donjeta Spahiu.
Ajo thotë se qëllimi i protestës të së martës është që të respektohen të drejtat e Spahiut.
“Fakti që kanë kaluar katër muaj nga arrestimi i padrejtë i Arbnorit dëshmon qartë sa pak është bërë nga institucionet për të. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, pasi çdo ditë që kalon e shton ankthin, stresin dhe frikën tonë. Protesta që po organizojmë synon të kërkojë drejtësi për Arbnorin, një qytetar i cili mbahet padrejtësisht. Ne besojmë se askush nuk duhet të trajtohet në mënyrë të pabarabartë nga sistemi i drejtësisë. Qëllimi ynë është të tërheqim vëmendjen e autoriteteve dhe të komunitetit për të garantuar respektimin e të drejtave të Arbnorit”, ka thënë Donjeta Spahiu.
Spahiu po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori kur Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij.