Prej vitesh, shkencëtarët kanë lavdëruar përfitimet shëndetësore të pirjes së çajit.
Por tani ata kanë zbuluar se, ndërsa pirja e disa filxhanëve ndihmon në mbrojtjen e zemrës, përfitimet më të mëdha vijnë nga konsumimi i dhjetë filxhanëve në ditë.
Dhjetë filxhanë – rreth 1.2 litra – ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 16%, krahasuar me ata që nuk pinë çaj.
Pirja e vetëm dy filxhanëve kishte një efekt më modest, prej vetëm 5%.
Përfitimet shëndetësore vinin nga pirja e çajit të zi pa sheqer, sipas një analize të 14 studimeve të mëparshme.
“Analiza jonë tregon se konsumimi i çajit të zi lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës. Rezultatet tona mbështesin rekomandimet për konsumimin e çajit të zi për parandalimin primar të sëmundjeve të zemrës,” thanë kardiologët e Universitetit Nanying në Kinë.
Ndërsa studiuesit, duke shkruar në revistën Nutrition, Metabolism and Cardiovascular Diseases, nuk thanë nëse pirja e çajit me qumësht ka përfitime, kërkimi përfshiu dy studime nga Britania e Madhe, ku çaji me qumësht është zakon.
Sipas Shoqatës së Çajit dhe Infuzioneve në MB, në Britani konsumohen rreth 100 milionë filxhanë çaj çdo ditë.
Studimi përfshiu 958,477 persona, prej të cilëve 16,990 zhvilluan sëmundje të zemrës.
Edhe pse shumë studime kanë lidhur çajin jeshil me përfitime shëndetësore—ndoshta për shkak të përmbajtjes më të lartë të antioksidantëve dhe më të ulët të kafeinës—kërkimi i fundit forcon idenë se edhe çaji i zi ka efekt mbrojtës.
Shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht se si çaji e mbron zemrën. /GazetaExpress/