Babai i ish-mbrojtësit të Juventusit, Dean Huijsen, ka kritikuar mënyrën se si bardhezinjtë e detyruan djalin e tij të largohej nga skuadra, duke e përshkruar si “një tronditje të vërtetë” dhe “një ditë të errët”.
Duke folur për Tuttosport, Donald Caspar Huijsen tha:
“Ishte një tronditje e vërtetë. Një ditë e errët. Dean po bënte mrekulli në Torino, fliste italishten në mënyrë perfekte dhe ishte i dashur nga të gjithë. Giuntoli ishte kategorik dhe Motta brutal, kur i thanë se nuk mund të stërvitej më me ekipin e parë.”
Largimi i Huijsen ka mbetur një pikë e dhimbshme edhe për shumë tifozë të Juventusit një vit pas ndarjes. Qendërmbrojtësi iu bashkua Bournemouth-it verën e kaluar, ku zhvilloi një sezon të shkëlqyer, përpara se këtë verë të firmoste një transferim të madh te Real Madrid.
Huijsen Sr. foli edhe për zërat se pronari i Juventusit, John Elkann, e shkarkoi Giuntolin për shkak të kësaj shitjeje: “Ai dhe Motta nuk janë saktësisht ndër miqtë e mi më të mirë…”
Megjithatë, ylli i Real Madridit ruan ende një lidhje me ish-klubin, siç zbuloi i ati: “Dean ende e lexon Tuttosport në telefon dhe i pëlqente të shkonte në restorantet e Marchisio-s dhe Bonucci-t në Torino.”
Së fundi, ai komentoi edhe për lidhjen mes djalit të tij dhe sulmuesit të Juventusit, Kenan Yildiz: “Janë ende miq shumë të mirë dhe u afruan menjëherë te ekipi i të rinjve të Juventusit.”
20-vjeçari ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Real Madridit këtë sezon, përveç njërës, dhe po tregon pjekuri të jashtëzakonshme në zemër të mbrojtjes së gjigantëve të La Ligës./GazetaExpress/