Slot e largoi nga Liverpooli, mesfushori anglez tashmë po shkëlqen te klubi i ri - Gazeta Express
string(79) "slot-e-largoi-nga-liverpooli-mesfushori-anglez-tashme-po-shkelqen-te-klubi-i-ri"

Futboll

Gazeta Express

29/09/2025 17:59

Slot e largoi nga Liverpooli, mesfushori anglez tashmë po shkëlqen te klubi i ri

Futboll

Gazeta Express

29/09/2025 17:59

Një lojtar i Liverpoolit, të cilit Arne Slot i kishte thënë të largohej nga “Anfield”, po shkëlqen tashmë në klubin e tij të ri.

Fillimi perfekt i sezonit për “The Reds” mori fund të shtunën me humbjen 2-1 ndaj Crystal Palace në “Selhurst Park”. Ishte një pasdite zhgënjyese për kampionët në fuqi, të cilët pas një vere me shumë ndryshime në merkato – me afrimet e Alexander Isak, Florian Wirtz, Hugo Ekitike dhe dy mbrojtësve të rinj – ende nuk kanë arritur të gjejnë stabilitet në lojë.

Megjithëse strategjia e transferimeve e Liverpoolit është lavdëruar shumë vitet e fundit, disa tifozë tani po pyesin nëse klubi ka qenë tepër i nxituar me shitjet. Një prej tyre ishte Tyler Morton. Mesfushori 22-vjeçar, i cili sezonin e kaluar luajti vetëm pesë ndeshje nën drejtimin e Slot, u shit për 15 milionë paund te Lyon – një shifër që u duk e drejtë për një produkt të akademisë.

Por Morton ka shkëlqyer deri më tani në Francë, duke shënuar këtë fundjavë golin e tij të parë për Lyonin në fitoren 1-0 ndaj Lille. Ai tregoi edhe bisedat që pati gjatë verës me Slot, kur mësoi se nuk bënte pjesë në planet e trajnerit.

“Jurgen Klopp ishte trajneri më i mirë për zhvillimin tim. Në atë moment mendoj se isha gati të luaja. Nuk po them se askush nuk besonte, por isha gati, dhe Klopp mendonte njësoj. Ai më dha mundësinë të luaja në skenën më të madhe për një klub shumë të madh. Më besoi, më lejoi të shkoja huazim, të zhvillohesha.

Me Arne Slot nuk luajta aq sa doja, edhe pse isha gati. Ishte vendimi i tij, e pranova me qetësi, por duhej të gjeja një rrugë tjetër. Ai ishte shumë i hapur dhe i ndershëm me mua në fund të sezonit të kaluar,” u shpreh Morton.

Mesfushori anglez kishte pasur huazime të suksesshme më parë me Blackburn Rovers (2022/23) dhe Hull City (2023/24), por sezonin e kaluar u rikthye në Liverpool, ku minutazhi i tij u kufizua për shkak të konkurrencës së Ryan Gravenberch.

“Biseduam shumë, dhe ai më lejoi t’i bashkohesha OL (Lyon). Ishte vendimi më i mirë. Do të jem përjetësisht mirënjohës për Jurgen Klopp dhe Arne Slot, në mënyra të ndryshme. Janë trajnerë të shkëlqyer, por edhe njerëz të mëdhenj,” shtoi Morton.

Fillimi i fortë në Ligue 1 ka bërë që Morton të krahasohet me disa nga mesfushorët më të mirë të Europës. Madje, reporteri i Sky Sports, Victor Lefaucheux, e krahasoi atë me Casemiron, pesë herë fitues i Champions League me Real Madridin./GazetaExpress/