Humbja nga Al-Nassr i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit Laurent Blanc.
Ky i fundit është shkarkuar nga Al-Ittihad përkundër vendit të tretë në renditje dhe tri pikëve nga kreu i tabelës nga skuadra që udhëhiqet në fushën e blertë nga Cristiano Ronaldo.
Në orët e fundit, klubi nga Arabia Saudite i ka përgënjeshtruar zërat që spekulonin se ishte insistimi i Karim Benzemas, ish-sulmues i Lyonit dhe i Real Madridit, për mbylljen e marrëveshjes me trajnerin Blanc.
E ndërkohë janë disa emra që lidhen me klubin saudit, shkruan “Gazeta Express”.
I pari është trajneri italian, Luciano Spalletti, ndërsa tjetri portugezi Sergio Conceiçao.
Kurse, një profil i befasishëm që duket se po i intereson klubit nga Saudi Pro League është Jurgen Klopp, raporton mediumi saudit, Arriyadiyah.
Në fakt, ish-trajneri i Borussia Dortmundit dhe i Liverpoolit është mjaft i preferuar, por edhe më i vështiri për t’u arritur duke e pasur parasysh se ai momentalisht e mbulon rolin e përgjegjësit të të gjitha klubeve në galaksinë Red Bull. /Gazeta Express