Kandidatja e AAK’së, Xhemile Murati- Shabani dhe kandidati i VV’së, Enver Haliti për kryetar të Ferizajt janë përplasur gjatë një debati televiziv.
Derisa diskutimi ishte për dhënien e lejeve ndërtimore, Murati tha se Haliti i VV’së jeton në penthouse.
“Do ta funksionalizojmë edhe zyrën e inspektoratit që është shumë më rëndësi sepse do të bëhet digjitalizimi i të gjitha shërbimeve që kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit dhe legalizimet. Përndryshe ne kemi këtu në mesin e kandidatëve që kanë blerë prej ndërtuesve dhe jetojnë në penthouse, njëri prej tyre është edhe z.Enver Haliti që jeton në katin më të lartë”, tha ajo në Kanal10.
Kjo deklaratë e nervozoi Halitin.
“Çfarë relevance ka kjo se s’po e kuptoj, cila është relevanca këtu, çka po don me thënë me këtë? Qysh guxon me tregu ku banoj unë, qysh guxon ti?”
“Nuk dhashë adresë”, u përgjig Murati.
“Ti nuk e di se si je kandidate këtu, se e luan rolin e avokatit e kandidatit të PDK’së dhe nuk ke të drejtë absolutisht të bisedosh për shtëpinë, banesën time. Ta ndaloj ta përdorësh, ta përmendësh, është hera e fundit që e përmend ti ku banoj unë, në cilën adresë dhe në cilin kat”, tha Haliti
“Përderisa konsideron që Ferizaj qenka i shkatërruar, atëherë ne s’duhet të bëhemi pjesë e këtij shkatërrimi”, u përgjigj Murati.
Më pas Haliti iu drejtua asaj duke i thënë “ti je pjesë e këtij shkatërrimi dhe më së paku ke të drejtë të flasësh për këtë punë”.
Ajo u pyeti pse.
“Për shkak se ti u takon qatyne personave që kanë qenë nënkryetar kur është bërë ky plan zhvillimor që po përmendet dhe ai është person kryesor që e ka shkatërruar Ferizajn”, u përgjigj Haliti.