Disidenti politik Khodorkovsky: Sanksionet nuk mjaftojnë – vetëm forca ushtarake mund ta ndalojë Putinin - Gazeta Express
string(101) "disidenti-politik-khodorkovsky-sanksionet-nuk-mjaftojne-vetem-forca-ushtarake-mund-ta-ndaloje-putinin"

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 10:24

Disidenti politik Khodorkovsky: Sanksionet nuk mjaftojnë – vetëm forca ushtarake mund ta ndalojë Putinin

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 10:24

Ish-oligarku rus dhe disidenti politik Mikhail Khodorkovsky, një nga kritikët më të zëshëm të Kremlinit dhe ish-drejtor i kompanisë së naftës Yukos, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të ndalet kurrë për shkak të presionit ekonomik nga Perëndimi. Në një artikull autorial për POLITICO, Khodorkovsky thekson se besimi i Bashkimit Evropian se sanksionet financiare do të ndryshojnë sjelljen e Putinit është i gabuar.

“Sanksionet që nuk shoqërohen me gatishmëri për përdorim të forcës ushtarake nuk do të kenë asnjë efekt,” paralajmëron Khodorkovsky, duke shtuar se Rusia po teston me dronë kufijtë e NATO-s gjithnjë e më hapur.

Sipas tij, motivimi i Putinit për luftën në Ukrainë nuk është ekonomik, por ideologjik – rikthimi i dominimit që Moska kishte në shekullin XX. Ai kritikon përgjigjen e dobët të BE-së, e cila është kufizuar në reduktimin e importeve të energjisë ruse dhe vendosjen e tavaneve të çmimeve, masa që, sipas tij, kanë pasur ndikim minimal.

“Për Putinin, interesat kombëtare janë gjithmonë më të rëndësishme se opinioni publik. Humbjet ekonomike mund t’i kompensojë lehtësisht me devalvimin e rublës,” shpjegon Khodorkovsky.

Ai vëren gjithashtu se shumë vende evropiane që në fillim nuk kanë qenë të gatshme për ndërprerje të plotë të bashkëpunimit me Moskën, ndërsa SHBA ka llogaritur që energjia amerikane do të zëvendësonte atë ruse – por me një kosto të lartë.

“Trump me të drejtë kritikoi liderët evropianë për hipokrizinë e tyre, por as administrata e Biden nuk e fsheh se zëvendësimi i gazit dhe naftës ruse ka një çmim,” thekson ai.

Edhe pse përmend mundësinë e shtrëngimit të sanksioneve teknologjike, përmes kontrollit të produkteve që Kina nuk mund t’ia sigurojë Rusisë, Khodorkovsky shprehet skeptik për efektshmërinë e tyre.

“Rezhimi i Putinit është ndërtuar mbi mashtrime dhe paligjshmëri që nga fillimi. Shmangia e sanksioneve për të është thjesht një pengesë dytësore,” thotë ai.

Në përfundim, ai jep një mesazh të qartë për Perëndimin: “E vetmja mënyrë për ta detyruar Rusinë të tërhiqet është përmes një forcimi masiv dhe të qëndrueshëm të trupave të NATO-s. Asgjë tjetër nuk do të jetë vendimtare. Kjo është një luftë e kohës sonë dhe një kërcënim ekzistencial që kërkon një përgjigje pa kompromis.”