Shkencëtarët amerikanë kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt trajtimeve të reja kundër tullacisë dhe alopecisë, përtej opsioneve ekzistuese që vetëm ngadalësojnë humbjen e flokëve.
Universiteti i Kalifornisë në Irvine (UCI) ka zbuluar një molekulë të quajtur SCUBE3, e cila aktivizon qelizat staminale të folikulave të flokëve, duke nxitur rritjen e tyre. Testet janë realizuar në minj dhe në lëkurë njerëzore të transplantuar, me rezultate premtuese.
Një vit më vonë, Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) publikoi të dhëna për një tjetër molekulë premtuese, të quajtur PP405. Kjo substancë ka arritur të “zgjojë folikulat e flokëve” brenda një jave, përmes një aplikimi topik në lëkurë njerëzore.
Sipas News-Medical, këto zbulime nuk thjesht ngadalësojnë rënien e flokëve, por rifillojnë ciklin biologjik të rritjes, një qasje tërësisht e re në fushën e trajtimit të rënies së flokëve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se trajtime të tilla duhet të kalojnë prova të gjera klinike përpara se të vihen në dispozicion të publikut.
Nëse këto prova rezultojnë të suksesshme, bota mjekësore mund të jetë në prag të një epoke të re në luftën kundër tullacisë.