LDK i reagon Kurtit për deklaratën: Kush e rrezikon miqësinë me SHBA, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit - Gazeta Express
string(103) "ldk-i-reagon-kurtit-per-deklaraten-kush-e-rrezikon-miqesine-me-shba-rrezikon-ekzistencen-e-vete-shtetit"

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 7:08

LDK i reagon Kurtit për deklaratën: Kush e rrezikon miqësinë me SHBA, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 7:08

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve dhe qasjes së Kryeministrit Albin Kurti karshi aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo ka thënë se Kurti po hyn në histori si “njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë”, duke e cilësuar këtë si aventurizëm politik me pasoja të rënda për Kosovën.

“Këto ‘jo’-të e Kurtit janë po-ja më e madhe për izolimin e Kosovës!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka rikujtuar kontributin historik të SHBA-së në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke thënë se pa ndërhyrjen e NATO-s të udhëhequr nga Amerika, nuk do të kishte liri, pavarësi e as njohje ndërkombëtare për vendin.

“Sot, ai partner që na qëndroi pranë në ditët më të vështira, po dëgjon nga ‘Kryeministri’ i Kosovës fjalë fyese dhe veprime të papërgjegjshme. Pasojat janë të qarta: ndëshkime nga aleatët, izolim ndërkombëtar dhe dobësim i pozitës së Kosovës në rajon,” ka shkruar ajo.

Në fund, deputetja e LDK-së ka theksuar se Kosova nuk është pronë e një personi dhe se askush nuk ka të drejtë të rrezikojë miqësinë me Amerikën, të cilën ajo e konsideron themel të shtetësisë së Kosovës.

“Kosova është amanet i gjeneratave që dhanë jetën për liri dhe i miqësisë me Amerikën që na e garantoi atë liri. Kush e rrezikon këtë miqësi, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit,” përfundon reagimi i saj.