Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se prania e parazitëve të llojit “Anisakis simplex” në peshkun që importohet në Kosovë nuk e rrezikon shëndetin në rast se është i ngrirë.
Sipas AUV, peshku i ngrirë është i sigurtë për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60 gradë.
“Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm.”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Agjencia thotë se ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje, veçanërisht në përgatitje si “crudo”, sushi apo sashimi.
“Kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore. Këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si: EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore), FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi)”, thuhet tutje në njofim.