Osmani në Kolegjin e Luftës në SHBA: Çdo familje kosovare pa shpëtimtarin në krahun e një ushtari amerikan - Gazeta Express
string(105) "osmani-ne-kolegjin-e-luftes-ne-shba-cdo-familje-kosovare-pa-shpetimtarin-ne-krahun-e-nje-ushtari-amerikan"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 14:26

Osmani në Kolegjin e Luftës në SHBA: Çdo familje kosovare pa shpëtimtarin në krahun e një ushtari amerikan

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 14:26

Presidentja Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në SHBA ka mbajtur një fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane (U.S. Army War College).

Para ushtarëve amerikanë, Osmani tha se shteti i tyre i qëndroi në krah Kosovës në kohët më të errëta dhe se për çdo familje kosovare flamuri amerikan është simbol shpëtimi.

“Erdha tek ju jo vetëm si Presidente e Republikës së Kosovës, por edhe si dikush që është rritur gjatë një lufte gjenocidale. Isha një vajzë shumë e re kur Kosova po përballej me një luftë të pamëshirshme nga regjimi i Millosheviqit. Ishte një kohë kur po dëboheshim nga shtëpitë tona, kur të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë dhe kur fëmijëria jonë ishte thjesht luftë, konflikt, shkatërrim dhe vuajtje. Vetë ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje”.

“Dhe në ato orë më të errëta, Amerika qëndroi pranë nesh. Ishin ushtarët amerikanë, krah për krah me aleatët tanë të NATO-s, ata që erdhën në Kosovë dhe e shndërruan dëshpërimin në shpresë, frikën në siguri dhe okupimin në liri. Çdo familje në vendin tim, mban një kujtim për herën e parë kur pa flamurin amerikan në krahun e një ushtari amerikan. Ata panë shpëtimtarët e tyre. Për ne, ai flamur nuk është thjesht simbol i një shteti tjetër. Ai ishte simboli i një premtimi — se edhe njerëzit në vendet më të vogla nuk do të braktiseshin nëse qëndronin për të drejtën e tyre hyjnore për të qenë të lirë”.

Osmani tha se ky premtim jeton ende sot dhe se Kosova me krenari qëndron si vendi më pro-amerikan në botë.

“Dhe kjo nuk është rastësi. Është sepse ushtarakët tuaj, burrat dhe gratë me uniformë, mbajtën besën ndaj nesh kur kishte më shumë rëndësi. Dhe ata vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot”.

Osmani tha se bota është në një situatë më komplekse dhe më të rrezikshme se në çdo kohë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

“Fuqitë autoritare po vënë në provë vendosmërinë e kombeve të lira. Ato po e kthejnë dezinformimin në armë, po shfrytëzojnë varësitë ekonomike”, tha Osmani, duke shtuar se ata po kërcënojnë vetë parimet e sovranitetit dhe të vetëvendosjes.

“Kosova e di këtë nga përvoja e saj. Shumë vite pas luftës, së fundmi në vitin 2023, u përballëm me një sulm terrorist që përbënte një akt agresioni ndaj vendit tonë, i cili u drejtua dhe u mbështet nga Serbia, si satelit i Rusisë në rajonin tonë. Ky nuk ishte vetëm një sulm ndaj Kosovës. Ishte një sulm ndaj vlerave që na bashkojnë: demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit. Ishte një sulm ndaj gjithçkaje për të cilën qëndron Amerika. Ishte një përpjekje për të shkatërruar gjithçka që Amerika kishte arritur në rajonin tonë. Përgjigjja jonë ishte e vendosur, por e përgjegjshme”.

“Ne mbrojtëm popullin tonë. Ne mbrojtëm sovranitetin tonë. Dhe këtë e bëmë në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara. Sepse ne e dimë se forca e një demokracie nuk qëndron vetëm në madhësinë e territorit të një shteti, por mbi të gjitha në madhësinë e aleancave të saj. Kosova e ka mësuar shumë mirë se konfliktet moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe pushkë, por edhe përmes propagandës, sulmeve kibernetike dhe presionit ekonomik — të gjitha këto u përdorën kundër nesh. Lufta hibride synon të mjegullojë vijën ndarëse mes paqes dhe luftës, duke e bërë më të vështirë njohjen e fushëbetejës dhe të armikut. Por mësimi ynë është i qartë: qëndrueshmëria e institucioneve tona, uniteti i popullit tonë dhe besimi e forca e aleatëve tanë janë po aq të rëndësishme për parandalim sa edhe kapacitetet tona ushtarake. Pa qëndrueshmëri, pa aleatë, edhe ushtritë më të forta mund të dobësohen nga brenda”./Express/