Sulmet e Konjufcës ndaj Gjykatës duke përmendur "tradhtinë", Hargreaves: Jemi të shqetësuar për fjalët që janë thënë - Gazeta Express
string(112) "sulmet-e-konjufces-ndaj-gjykates-duke-permendur-tradhtine-hargreaves-jemi-te-shqetesuar-per-fjalet-qe-jane-thene"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 10:29

Sulmet e Konjufcës ndaj Gjykatës duke përmendur “tradhtinë”, Hargreaves: Jemi të shqetësuar për fjalët që janë thënë

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 10:29

Figura të Lëvizjes Vetëvendosje sulmuan Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të saj për masë të përkohshme që e vendosi pas ankesës së Listës Srpska. Sulmet i bënë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tyre ku pas deklaratave morën edhe ovacione.

Por, këto deklarata s’po i duartrokasin partnerët e Kosovës, të cilët po kërkojnë respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të respektojnë pavarësinë e saj.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, përmendi edhe “tradhtinë shtetërore” nëse Kushtetuesja s’e merr një vendim siç mendojnë ata.

 Ai tha se Kushtetuesja ose i çelë rrugë Kuvendit të vazhdojë ose na çon në zgjedhje, ndërsa për “skenarin e tretë”, Konjufca deklaroi se do të ishte dhënie e vetos Listës Srpska e Beogradit mbi Republikën e Kosovës.

“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thosha unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”, kishte thënë Konjufca.

Për këto fjalë të tij e të bashkëpartiakëve të tij është shprehur i shqetësuar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, paralajmëroi për pasojat.

Radio Evropa e Lirë: Por, pse Mbretëria e Bashkuar ndjen nevojën të theksojë respektimin e vendimeve të Gjykatës? A ka ndonjë shqetësim se një pjesë nuk do t’i respektojë?

Jonathan Hargreaves: Natyrisht, ajo është një pjesë thelbësore e Kushtetutës së Kosovës dhe një pjesë thelbësore e zbatimit të sundimit të ligjit, ku Kosova ka bërë shumë përparim gjatë periudhës së fundit. Dhe, është diçka për të cilën Kosova duhet të jetë shumë krenare. Që nga pavarësia, është bërë një përparim i madh në zbatimin e fortë të sundimit të ligjit.

Jemi shqetësuar, sikurse të tjerët, për disa fjalë që janë thënë rreth Gjykatës Kushtetuese dhe për pasojat që mund t’i kishin, nëse Gjykata do të mund ta bënte punën e saj siç duhet dhe nëse vendimet e saj do të respektoheshin plotësisht.

Ndaj, shpresoj shumë dhe pres që të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqëria ta lejojnë Gjykatën të punojë dhe, më e rëndësishmja, t’i zbatojnë vendimet që ajo merr.

Radio Evropa e Lirë: A po i referoheni gjuhës së përdorur nga partia fituese e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti?

Jonathan Hargreaves: Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha palët ta bëjnë të qartë se, pavarësisht bindjeve politike, janë në të njëjtën linjë, kur bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese – ta lënë ta bëjë punën e saj dhe t’i respektojnë vendimet e saj.