Mesazhet e Kurtit për serbët, Hargreaves: Arsimi dhe shëndetësia sipas ligjeve të Kosovës, Asociacioni në fund i mbikëqyrë - Gazeta Express
string(119) "mesazhet-e-kurtit-per-serbet-hargreaves-arsimi-dhe-shendetesia-sipas-ligjeve-te-kosoves-asociacioni-ne-fund-i-mbikeqyre"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 10:25

Mesazhet e Kurtit për serbët, Hargreaves: Arsimi dhe shëndetësia sipas ligjeve të Kosovës, Asociacioni në fund i mbikëqyrë

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 10:25

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur edhe për veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë që drejtohet nga kryeministri Kurti sa i përket institucioneve paralele arsimore dhe atyre të shëndetësisë në Veri. Ai ka thënë se zgjidhja për këto shërbime duhet të bëhet përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si pikë përfundimtare.

Diplomati britanik ka thënë se integrimi i tyre është “jashtëzakonisht e ndjeshme, duke theksuar zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit ligjor të Kosovës, përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”

 “Unë mendoj se Asociacioni duhet të jetë pika përfundimtare, dhe çdo punë mbi shëndetësinë dhe arsimin duhet të jetë në përputhje me themelimin e një asociacioni. Mendoj se pika tjetër vërtet e rëndësishme është, dhe ndoshta një pikë edhe më e rëndësishme është, siç thashë, këto janë shërbime që prekin drejtpërdrejt familjet dhe individët. Dhe, çdo politikëbërës, kudo në botë, mendoj se do të pajtohej se të kesh një konsultim të vërtetë, një përfshirje reale të komuniteteve që do të preken nga ndryshimet, në mënyrën si u komunikohen atyre çështje kaq të rëndësishme, kjo duhet të jetë një bisedë e vërtetë”, ka thënë diplomati britanik për REL.

“Siç thashë, isha shumë i kënaqur të dëgjoja kryeministrin duke thënë se ai do të ishte i gatshëm të diskutonte çështje të tilla me kryetarët e rinj të komunave. Por, gjithashtu, mendoj se ka kanale të ndryshme, përmes të cilave është vërtet e nevojshme që autoritetet e Kosovës të kenë komunikim real, personal dhe të drejtpërdrejtë me komunitetet që preken, dhe të gjejnë një mënyrë që, çfarëdo që do të ndodhë me ato shërbime, ato të mbeten të qasshme, me cilësi të lartë dhe të përballueshme”, ka shtuar ai.

Hargreaves ka shtuar tutje se kjo duhet të ndodhë brenda kuadrit të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, sepse ky është një zotim afatgjatë i Kosovës dhe më e rëndësishmja, thotë ambasadori britanik, në konsultim me komunitetet që do të preken nga ato.