Hetimet për vrasjen e shtetasit italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, vijojnë mes shumë pikëpyetjeve, ndërsa janë zbuluar detaje të reja nga vendngjarja.
Sipas informacioneve të fundit, trupi i pajetë i Sarchit u gjet në anë të rrugës, ndërsa pak metra më tej u identifikua edhe automjeti i tij. Fillimisht u dyshua se ai ishte shoqëruar nga persona të tjerë, por raportimet e fundit konfirmojnë se në momentin e gjetjes, ai ishte i vetëm dhe deri tani nuk ka asnjë të shoqëruar.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe deri tani nuk përjashtohet asnjë pistë.
Sarchi, i cili ishte një biznesmen dhe pronar i një fabrike tullash në Tiranë, rezulton të ketë qenë frekuentues i rregullt i zonës së Tepelenës për qëllime gjuetie. Edhe këtë herë dyshohet se kishte udhëtuar drejt fshatit Salari për gjah. Sipas raportimit të fundit dyshohet se mund të kenë qenë dy automjete në zonë, përfshirë një tjetër me miq të tij, por ende nuk dihet nëse ata kanë qenë realisht prezentë dhe përse nuk qëndruan në vendngjarje, nëse ishin.